24-11-2024

Prizren: Ky është i arrestuari për dhunimin e 12-vjeçares, dyshohet se keqtrajtoi seksualisht vajzën që u zhduk

Një rast të trishtë u raportua që ka ndodhur së fundmi në Prizren, ku një 12-vjçare që ishte zhdukur për disa ditë me radhë dyshohet se është dhunuar nga një 32-vjeçar. Akoma s’dihet se ku ka qëndruar vajza me të dyshuarin, por ajo që dihet është se burri i dyshuar e ka pranuar veprën me të cilën ngarkohet. 

Burimet nga Prokuroria të Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se personi që ra në prangat e Policisë në lidhje me këtë rast është K. Morina, i cili tashmë ndodhet nën masën e ndalimit policor dhe ndaj tij Prokuroria ka bërë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit.

Si u zbulua rasti?

Ky rast dyshohet se ka ndodhur këtë muaj në Prizren, pasi një familje kërkoi ndihmën e Policisë për vajzën e tyre 12-vjeçare që ishte raportuar e zhdukur. Vajza u gjet, por ajo që u zbulua nga familja ishte mjaft tronditëse, pasi u kuptua se e mitura ishte shfrytëzuar seksualisht nga një 32-vjeçar.

Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë të ditur se familja fillimisht s’kishte informacione për fatin e saj për 5 ditë me radhë, prandaj e denoncuan rastin. Gjatë kohës sa nuk dihej asgjë për vendndodhjen e saj, i dyshuari e kishte keqpërdoru seksualisht, duke kryer marrëdhënie seksuale me të.

Pasi vajza u gjet, e njëjta më pas u dërgua në spital për ekzaminimet e nevojshme dhe më pas ka dhënë deklaratën e saj lidhur me atë se çfarë kishte ndodhur gjatë kohës që ajo ishte larg shtëpisë.

Detajet u zbuluan nga vet vajza, e cila rrëfeu në Polici për atë që kishte ndodhur mes saj dhe 32-vjeçarit të dyshuar.

Njësitet policore janë vënë menjëherë në lëvizje për të kapur personin e dyshuar, me ç’rast i njëjti është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor. Gjatë intervistimit, burimet thonë se i dyshuari e ka pranuar veprën për të cilën ngarkohet dhe ka treguar versionin e tij të ngjarjes.

Pas përfundimit të procedurave policore, me urdhër të prokurorit, të njëjtit i është caktuar masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orëve dhe ndaj tij hapet rast nën dyshimet se ka kryer veprën penale ‘Dhunim’.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata. /GazetaSinjali/

https://sinjali.com/ky-eshte-prizrenasi-i-arrestuar-per-dhunimin-e-12-vjecares-dyshohet-se-keqtrajtoi-seksualisht-vajzen-qe-u-zhduk/

 

Asnjë koment

Comments are closed.