28-11-2024

Prizren: Ky është mjeku që raportoi se u sulmua nga dy vëllezër, zbulohen detajet e rastit

Punëtorët shëndetësorë jo rrallëherë kanë qenë cak i sulmeve e kërcënimeve nga pacientët e familjarët e tyre të cilët shpeshherë i kanë akuzuar për trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor. Raste të tilla janë raportuar jo vetëm në spitale private, por edhe në ato publike. Veprimet të tilla përbëjnë vepër penale dhe sanksionohen me Kodin Penal të Republikës së Kosovës, raporton Gazeta Sinjali.

Një rast i tillë ka ndodhur edhe të shtunën në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prizren, ku mjeku Artur Avdaj, djali i ish-drejtorit të Spitalit të Prizrenit, Afrim Avdajt, ka raportuar se derisa ishte duke punuar është sulmuar nga dy persona, familjarë të një pacienteje.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se dy vëllezërit Dana (emra të njohur për redaksinë) po dyshohen se kanë sulmuar mjekun Avdaj, pasi kanë shprehur pakënaqësi në ofrimin e shërbimeve mjekësore ndaj nënës së tyre, të cilën e kishin dërguar në këtë qendër për t’u kontrolluar.

Rasti dyshohet se ka ndodhur rreth orës 21:00, periudhë kjo kur mjeku Avdaj ishte mjek kujdestar dhe u përballë me sulm, për çka e kërkoi ndihmën e Policisë, duke e raportuar rastin.

Si rezultat i denoncimit, dy të dyshuarit janë shoqëruar në stacion policor, ku kanë dhënë deklaratat e tyre rreth asaj se çka kishte ndodhur në QKMF-në e Prizrenit, teksa një version të ngjarjes e ka dhënë edhe mjeku, që është viktimë e këtij rasti.

Me t’u përfunduar të gjitha procedurat, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim për inicimin e rastit ndaj dy të dyshuarve në drejtim të veprës penale “Sulm”.

Rasti është konfirmuar edhe nga Policia e Kosovës.

“Prizren 17.06.2023-21:00.  Viktima mashkull kosovar-mjek, ka raportuar se derisa ishte në vendin tij të punës –kujdestari, dy të dyshuarit meshkuj kosovar të cilët e  kishin dërguar nënën e tyre për kontroll mjekësore në shenjë pakënaqësie në ofrimin e shërbimit e kanë sulmuar fizikisht viktimën. Dy të dyshuarit janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit, janë liruar.”

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Asnjë koment

Comments are closed.