Prizren: Ky është personi që u gjet i vdekur, bashkë me një armë afër
Një personi u gjet pa shenja jete dje ( më 17 dhjetor 2025, rreth orës 12:00 ), në rrugën “Kastriotët” në Prizren.
Gazeta Sinjali mëson se viktima është Milazim Kryeziu, rreth 57-vjeçar.
Sipas informatave fillestare, patrulla policore ishte njoftuar për një person të shtrirë në tokë në një lokacion të qytetit. Pas daljes në vendin e ngjarjes, ekipi i emergjencës mjekësore ka konstatuar vdekjen e viktimës.

Gazeta Sinjali mëson se në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet e hetimeve rajonale, komandanti i stacionit përkatës, teknika kriminalistike, si dhe Prokurori i Krimeve të Rënda, i cili ka urdhëruar që rasti të iniciohet si “Hetim i vdekjes”. Po ashtu është njoftuar edhe Instituti i Mjekësisë Ligjore.
Po ashtu, gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes është konstatuar se pranë trupit të viktimës ndodhej një pistoletë, për të cilën viktima kishte leje të vlefshme për posedim, thonë burimet. Në trupin e tij është konstatuar edhe një plagë e shkaktuar nga arma e zjarrit.

Me urdhër të Prokurorisë së Shtetit, trupi i pajetë është dërguar për autopsi në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ndërsa hetimet për sqarimin e plotë të rrethanave të vdekjes janë në vazhdim. /G. Sinjali
