24-11-2024

Prizren: Lansohet projekti interesant që mund të sjellë investime konkrete për zhvillimin ekonomik

Komuna e Prizrenit së bashku me organizatën joqeveritare Germin, sot lansoi projektin “Forumi i bashkinvestimit dhe rrjetëzimit”, i pari i këtij lloji në nivel lokal, i cili synon të tërheqë investimet e huaja dhe nga diaspora në qytetin e Prizrenit dhe të krijojë lidhje të reja tregtare për bizneset vendore.

Kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka shprehi vullnetin dhe gatishmërinë e Komunës për të promovuar investimet nga diaspora dhe investitorët e tjerë të huaj. Ai theksoi se potenciali i diasporës për investime duhet të kanalizohet në fusha që gjenerojnë punësim dhe të ardhura, e jo vetëm konsum. Ai falënderoi pjesëmarrësit dhe organizatën Germin për lehtësimin e këtij procesi si dhe tha se Komuna është hapur për bashëkpunim dhe mikpritje të investitorëve.

“Forumi i bashkinvestimeve dhe rRrjetëzimit do të fokusohet në ofrimin e një pasqyre sa më të qartë për investitorët e jashtëm dhe nga diaspora, si dhe për mundësitë zhvillimore dhe biznesore që i ofron qyteti i Prizrenit. Tërheqja e kompanive të huaja dhe nga diaspora për të investuar në Prizren është një nga synimet kryesore për t’u arritur përmes këtij bashkëpunimi, siç është edhe krijimi i mundësive për të lidhur prodhuesit vendorë me partnerë në tregjet e jashtme”, u shpreh drejtoresha e Germin, Liza Gashi.

Fotografia e Komuna e Prizrenit

Nora Hasani nga Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare informoi pjesëmarrësit rreth trajnimeve përgatitore që kjo organizatë do t’i bëjë në Prizren gjatë muajit maj, të cilat do t’i shërbejnë bizneseve lokale për t’i zgjeruar kapacitetet biznesore. Ndërkohë, në emër të Unionit të Biznesve Shqiptare-Gjermane, Bekim Brestovci tha se janë të hapur për bashkëpunim dhe krijimin e urave të komunikimit për të kontribuuar në zhvillimin ekonomik të Kosovës. Lirim Krasniqi, menaxher i Projektit nga Germin, prezantoi informatat më të hollësishme rreth punëve të këtij projekti, konstatimet nga hulumtimi mbi identifikimin e sektorëve strategjikë në Prizren dhe datat e Forumit, i cili pritet të mbahet më 5-7 korrik.

Gjatë lansimit gjithashtu u prezantua platforma www.investinprizren.com e cila do të shërbejë si pikë kontakti dhe informacioni për të interesuarit.

Në këtë lansim të organizuar në ambientet e Komunës së Prizrenit, të pranishëm ishin kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, përfaqësuesit e organizatës Germin, të shoqatave vendore të biznesit, Odës Ekonomike Gjermano-Kosovare dhe të Unionit të Biznesve Shqiptare-Gjermane.

 

 

Asnjë koment

Comments are closed.