23-11-2024

Prizren: LDK me kritika ndaj Komunës për “harresë të banesave kolektive”

LDK në Prizren ka kritikuar pushtetin lokal, lidhur me objektet banesore kolektive, të planifikuara për kategoritë e dala nga lufta dhe familjet me asistencë sociale.

Në një komunikatë, thuhet se veprimtaritë ilegale dhe përdoruesit e substancave narkotike tani e kanë gjetur bazën e tyre në objektet e banesave kolektive në komunën e Prizrenit.

“Objektet e papërfunduara, janë demoluar dhe kanë marrë pamje të tmerrshme dhe si të tilla ato tashmë janë bërë strehë e atyre që ushtrojnë veprimtari ilegale si drogë, prostitucion e shumë aktivitete tjera të paligjshme.

Nga objekte banesore të planifikuara për Invalidët e UÇK-së, familjet e dëshmorëve ,veteranët e UÇK-së dhe familjeve me asistencë sociale, ato tashmë janë dëmtuar rëndë dhe e kanë ndryshuar destinimin.

Duhet kujtuar se dhjetra familje që prejt muajit nëntor të vitit 2015 i kanë marrë qelësat e banesave të tyre, por fatkeqësisht edhe pas 8 vitesh pritje ata detyrohem të gjejnë forma alternative për ta vazhduar jetën e tyre.

Pushteti aktual për përfundimin e këtyre objekteve, kishte planifikuar në buxhetin komunal për vitin 2022 rreth 500,000.00 euro, por fatkeqësisht nuk është realizuar asnjë cent dhe nuk është ndërmarrë asnjë veprim i vetëm.

Për më keq në buxhetin e vitit 2023, ky kod buxhetor është larguar në tërësi.

LDK- Dega në Prizren, kërkon masa urgjente që këto objekte të përfundojnë dhe familjet që tashmë i kanë marrë qelësat e banesave të hyjnë dhe ta zhvillojnë jetën e tyre aty.

LDK, po ashtu kërkon nga organet ndjekëse hetim të thellë për këtë projekt, në mënyrë që abuzuesit të dalin para drejtësisë.

Në fund me të drejtë shtrohet pyetja se çka i duhet ky pushtet qytetarëve të Prizrenit, kur nuk ka fare ndjesi dhe kujdes për jetën dhe mirëqenien e tyre?!”, thuhet në reagimin e LDK-së.

 

Asnjë koment

Comments are closed.