22-01-2026

Prizren: Manipulimet me vota, kryeprokurori merr info shtesë nga dy figura të rëndësishme

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu, ka pritur në takim koordinatoren nacionale për zgjedhje, Laura Pula dhe menaxherin e projektit strategjik “Mbrojtja e votës”, Besim Kusari, përcjell Gazeta e Prizrenit.

Takimi u zhvillua në ambientet e Prokurorisë së Prizrenit dhe temë e diskutimeve të këtij takimi ishte zhvillimi i hetimeve paraprake lidhur me mospërputhjen e votave gjatë numërimit brenda subjekteve politike për deputet të Republikës së Kosovës në rajonin e Komunës së Prizrenit.

Kryeprokurori i Prizrenit, informoi se pas evidentimit të mospërputhjeve të votave gjatë numërimit brenda subjekteve politike për deputet, në rajonin e Prizrenit, ku ka përfunduar procesi i rinumërimit të votave, ka filluar grumbullimi i informatave të nevojshme sigurimi i provave relevante, që të vërtetohet kryerja e ndonjë vepre penale që ndërlidhet me procesin zgjedhor.

Gjatë këtij takimi u diskutua për angazhimin e prokurorit të shtetit lidhur me mbrojtjen e votës së lirë të qytetarëve të Republikës së Kosovës, si dhe vazhdimin e procesit të hetimit në drejtim të mbledhjes së provave dhe sigurimit të dëshmive të nevojshme. /Gazeta e Prizrenit

Asnjë koment

Comments are closed.