Gjykata Themelore në Prizren ka caktuar të premten masën e paraburgimit prej një muaji për pesë persona të dyshuar për manipulime me vota në këtë komunë gjatë zgjedhjeve të 28 dhjetorit.
Sipas njoftimit të Gjykatës, të dyshuarit A.Sh., I.B., B.S. dhe H.P. janë dërguar në paraburgim nën dyshimin se secili veç e veç ka kryer veprën penale “falsifikim i rezultatit”.
Ndërkaq, i dyshuari N.B. po hetohet për veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, konkretisht për moskryerje me dashje të ndonjë detyre të domosdoshme të përcaktuar me ligj.

Gjykata ka bërë të ditur se masa e paraburgimit për këta të dyshuar mund të zgjasë deri më 28 shkurt.
Për rastin e manipulimeve me vota në Prizren, aktualisht në paraburgim ndodhen edhe 23 persona të tjerë të dyshuar.



