Prizren: “MARRE”- Reagon aktivistja e shoqërisë civile, ndaj pjesëmarrjes së drejtoreshave të shkollave në tubime politike
Aktivistja prizrenase e shoqërisë civile, Valmira Morina, njohëse e rrethanave në arsim, ka reaguar, duke e quajtur të papranueshme pjesëmarrjen e drejtoreshave të shkollave në tubime politike “pa fije të marres”.
Pjesëmarrjen e disa drejtoreshave në tubimin e PDK-së, dy ditë më parë e ka kritikuar edhe dega e LDK-së, e cila ndër të tjera ka kërkuar
nga KQZ, që të mos i lejojë këta drejtorë që të jenë menaxher në Qendrat e votimit pasi “dyshohet se mund të ndikojnë drejtpërdrejt në zgjedhje”.
Aktivistja Morina, sot ndërkaq shkroi në një postim në profilin e saj, se kjo është e papranueshme, derisa kujtoi se kur shoqëria civile kishte reaguar tri vjet më parë, se disa gra në Prizren kanë bërë betim të rrejshëm që nuk ishin në pozita udhëheqëse të subjektit politik në pushtet, vetëm për t’u zgjedhur drejtore të shkollave, janë atakuar edhe publikisht edhe privatisht.
“Po rreni e po e dezinformoni opinionin publik, na thonin. Tash, pa fije të marrës, zonjat drejtore të shkollave marrin pjesë në tubime të shtabit zgjedhor të subjektit politik në pushtet në Prizren. MARRE”, shkroi ajo.
Ndryshe, pika 1.7.7 e Konkursit për drejtor, parasheh “Deklaratën në betim që vërteton se në tri vitet e fundit kandidati/ja nuk ka qenë në asnjë funksion udhëheqës në strukturat e partive politike.
Lexo edhe:
Reagon LDK në Prizren: Drejtorët e shkollave në fushatë politike të PDK-së
/ Gazeta e Prizrenit