22-11-2024

Prizren: Mbrojtja e inspektorit të akuzuar për korrupsion vlerëson aktakuzën të pabazuar, prokuroria kundërshton

Sot, në Gjykatën Themelore në Prizren, është mbajtur shqyrtimi i dytë në rastin e inspektorit të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare, Nexhmedin Musliu.

Mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Gent Gjini deklaroi se aktakuza nuk i plotëson elementet ligjore të dyshimit të bazuar mirë së klienti i tij ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas avokatit Gjini, i akuzuari Musliu nuk ka qenë përgjegjës për inspektimin e objektit që përmendet në aktakuzë, mirëpo përgjegjës për të ka qenë inspektori Veron Aliu, për të cilin tha se, kur ka qenë i ftuar si dëshmitar, e ka provuar të njëjtën gjë.

Mirëpo, prokurorja Ervehe Gashi i kundërshtoi pretendimet e palës mbrojtëse duke thënë se ka prova që vërtetojnë përtej dyshimit të bazuar mirë se i akuzuari ka kryer këtë vepër penale.

Pretendimet e prokurorisë i mbështeti edhe përfaqësuesi i Komunës së Prizrenit, avokati Blerim Mazreku.

Lidhur me propozimet e palëve, kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Ajser Skenderi deklaroi se do të marrë vendim me shkrim.

Me aktakuzën e Prokurorisë Themelore Prizren, të ngritur më 26 nëntor 2019, i pandehuri Nexhmedin Musliu akuzohet për dy vepra penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Ai akuzohet se prej datës 23 maj 2017 e në vazhdim, në Prizren, në cilësinë e personit zyrtar si inspektor komunal i ndërtimit, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare apo autoritetin zyrtar, nuk i përmbush detyrat zyrtare të tij me qëllim të përfitimit të dobisë për tjetrin.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari ka inspektuar punimet në rrugën “Edit Durham”, të filluara nga i pandehuri Isuf Alibajra, ku konstaton se i njëjti nuk posedon leje ndërtimi nga organet kompetente komunale dhe urdhëron ndalimin e punimeve, mirëpo më pas vepron në kundërshtim me Ligjin për Ndërtim, duke mos ndërmarr veprime për ndalimin e punimeve dhe rrënimin e objektit, duke u mjaftuar vetëm me inspektim formal.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Musliu, duke mos ndërmarr veprime i ka mundësuar Isuf Alibajra ndërtimin e objektit me etazhitet B+P+2, ndërsa Kuvendit Komunal i ka shkaktuar dëm në vlerën e taksave të papaguara dhe ka dëmtuar infrastrukturën e qytetit në zonën e ndërtimit “Qylhan”.

Tutje, në aktakuzë thuhet se Musliu në prill të vitit 2017 e në vazhdimësi, në Prizren, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare apo autoritetin zyrtar, nuk i përmbush detyrat zyrtare të tij me qëllim të përfitimit të dobisë për tjetrin.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari ka inspektuar punimet në rrugën “Edit Durham”, të filluara nga i pandehuri Shaqir Rrahmanaj, ku konstaton se i njëjti ka tejkaluar lejen ndërtimore nga B+P+2 në B+P+3, urdhëron ndalimin e punimeve dhe i jep afat pronarit për rrënim vullnetar të mbindërtimit.

Sipas aktakuzës, Musliu më 22 dhjetor 2017 sërish del në inspektim dhe konstaton se jo vetëm që nuk ishin ndërpre punimet, por tani objekti kishte etazhitet B+P+4 dhe ndërtim të shkallëve në pronë publike, mirëpo më pas vepron në kundërshtim me Ligjin për Ndërtim, duke mos ndërmarr veprime për ndalimin e punimeve dhe rrënim, duke u mjaftuar vetëm me inspektim dhe vërejtje formal.

Gjithnjë sipas aktakuzës, i akuzuari Musliu, duke mos ndërmarr veprime i ka mundësuar Shaqir Rramanaj ndërtimin e objektit me etazhitet B+P+4 dhe të uzurpojë pronën publike prej 10m2, ndërsa Kuvendit Komunal i ka shkaktuar dëm në vlerën e taksave të papaguara dhe ka dëmtuar infrastrukturën e qytetit në zonën e ndërtimit “Qylhan”.

Ai akuzohet edhe në disa raste të tjera që kanë të bëjë me veprën e njëjtë penale. /BetimipërDrejtësi

Asnjë koment

Comments are closed.