22-02-2025

Prizren: Mbrojtja propozon rrethana lehtësuese ndaj ish-inspektorit të akuzuar të Komunës

Mbrojtësja e ish-inspektorit të ndërtimit në Prizren, Nexhmedin Musliu, avokatja Valbonë Morina, i ka propozuar gjykatës që me rastin e caktimit të dënimit, si rrethanë lehtësuese të merret parasysh fakti që i mbrojturi i saj është pensionuar, si dhe gjendja jo e mirë shëndetësore e tij.

Këto propozime, avokatja Morina i ka bërë të premten, në Gjykatën Themelore në Prizren, në seancën për caktimin e dënimit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe, më 19 prill 2023, nga Gjykata Themelore në Prizren, Musliu është shpallur fajtor për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, me ç’rast avokatja Morina kishte kërkuar mbajtjen e seancës për caktimin e dënimit.

Paraprakisht, në seancën e së premtes, prokurorja Ervehe Gashi, lidhur me rrethanat rënduese dhe lehtësuese, tha se qëndron në tërësi pranë propozimit që kishte dhënë në fjalën e saj përfundimtare.

E njëjta ka theksuar se Musliu është shpallur fajtor dhe ndaj tij ekziston aktgjykimi i plotfuqishëm i Gjykatës Themelore në Prizren.

Kurse, avokatja Morina ka propozuar që ndaj të mbrojturit të saj, si rrethanë lehtësuese të merret fakti që i njëjti ka dalë në pension të parakohshëm, për çka dhe gjykatës i ka dorëzuar vendimin mbi pensionimin

Po ashtu, ajo tha si njëjti është mbajtës i familjes dhe se gjendja e tij shëndetësore nuk është e mirë.

Pas kësaj, kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Raime Elezi tha se shpallja e aktgjykimit për këtë rast do të bëhet më 2 maj 2023.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore Prizren, të ngritur më 25 shtator 2019, Nexhmedin Musliu akuzohet për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Ai akuzohet se prej 21 nëntorit 2016 e në vazhdim, në Prizren, në cilësinë e personit zyrtar-inspektor komunal i ndërtimit, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare apo autoritetin zyrtar, nuk i përmbush detyrat zyrtare të tij me qëllim të përfitimit të dobisë për tjetrin.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari nuk e inspekton dhe nuk ndërmerr veprime kundër mbindërtimit pa leje të bërë nga investitori Mehmet Palushi, i cili duke ndërtuar objektin e tij ka tejkaluar lejen për një etazhitet, leje kjo e lëshuar nga Drejtoria për Urbanizëm dhe Planifikim Hapësinor në Komunën e Prizrenit.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Musliu, duke mos ndërmarrë veprime, i ka mundësuar Mehmet Palushit ndërtimin edhe të një kati dhe mospagesën e taksave komunale, ndërsa Kuvendit Komunal i ka shkaktuar dëm në vlerën e taksave të papaguara dhe ka dëmtuar infrastrukturën e qytetit në zonën e ndërtimit “Qylhan”. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Asnjë koment

Comments are closed.