Prizren: Mësimi për nxënësit që kanë braktisur arsimin fillor-peng i tenderit
Përpjekjet e Komunës së Prizrenit për ta kontraktuar një operator për organizimin e mësimit për nxënësit, që kanë mbetur pa e kryer arsimin fillor, nuk kanë rezultuar me sukses deri më tani. Aktiviteti i prokurimit për këtë shërbim është anuluar për herë të tretë nga organet komunale të Prizrenit.
Anulimi i fundit, sipas zyrtarëve përgjegjës, ka ndodhur për faktin se nuk ka pasur operator adekuat për ofrimin e këtij shërbimi. Ndërsa në dy njoftimet e mëparshme për kontratë nuk kishte konkurruar asnjë operator. Tani Komuna ka paralajmëruar ritenderimin për herë të katërt.
Bazuar në të dhënat e prezantuara nga Komuna e Prizrenit, del se organizimi i mësimit duhet të bëhet për rreth 150 nxënës, të cilët nuk kanë arritur ta përfundojnë mësimin e rregullt fillor, shkruan sot Koha Ditore.
Në sistemin elektronik të prokurimit publik, javën e shkuar, është publikuar njoftimi i Komunës së Prizrenit për anulimin e aktivitetit të prokurimit me titull “Organizimi i mësimit fillor për nxënësit që kanë mbetur pa e kryer arsimin fillor në Komunën e Prizrenit”.
Në këtë njoftim shkruan se numri i tenderëve të pranuar ka qenë vetëm një. Si arsye për anulimin e procedurës së prokurimit publik pas hapjes së tenderit është theksuar se “një dispozitë në Ligjin e Prokurimit Publik kërkon anulimin e aktivitetit të prokurimit”.