Prizren: Mjekët refuzojnë të vaksinohen
Pas më shumë se dy javësh qëkur sistemi shëndetësor u mbingarkua me pacientë të hospitalizuar e të infektuar me Covid-19, numri ka filluar të bjerë.
Sipas raportit të SHSKUK-së, gjatë së premtes në nivel vendi, trajtim spitalor kanë marrë 818 persona, prej të cilëve 675 të konfirmuar me Covid-19.
Fluksi i qytetarëve që po kërkojnë trajtim spitalor ka rënë edhe në Spitalin e Prizrenit, spital që ishte më i ngarkuari nga spitalet rajonale.
“Tanimë po regjistrojmë një rënie të fluksit të të hospitalizuarve. Aktualisht kemi 64 pacientë të hospitalizuar me COVID pozitiv. Nga ta i kemi tetë në reanimacion. Katër prej tyre në gjendje të rënduar”, ka thënë Afrim Avdaj, drejtor i spitalit.
Avdaj, tutje thotë se është shqetësues numri i grumbullimeve të qytetarëve ne mbrëmje, teksa apelon për kujdes nga qytetarët.
Në anën tjetër, në këtë komunë është duke vazhduar edhe vaksinimi i qytetarëve të moshuar. Sipas, përgjegjësit të qendrës se vaksinimit në Prizren, brengosës është numri i personelit shëndetësor që nuk po vaksinohet.
“Është diçka e habitshme se si personali shëndetësor e ka vënë për dilemë marrjen e vaksinave. Kanë disa arsyetime sikur pjesa dërmuese e ka kaluar dhe kanë antitrupa por mendoj se duhet shfrytëzuar kjo e drejtë”, ka thënë Arsim Berisha, përgjegjës i qendrës së vaksinimit në Prizren.
Berisha, thotë se deri më tani asnjë person që është vaksinuar nuk ka pasur ndonjë efekt apo ndonjë problem.
Komuna e Prizrenit ka pranuar rreth 1 mijë e 200 doza të vaksinës së kompanisë AstraZeneca, derisa deri më tani vetëm 40% e stafit shëndetësor në këtë komunë është vaksinuar.