Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit L.H., i cili aktualisht gjendet në paraburgim për shkak të dyshimit të bazuar mirë se i njëjti ka kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, raporton Gazeta e Prizrenit.
Pas informatave të siguruara dhe gjatë kontrollit nga ana e policisë, brenda automjetit gjendet dhe sekuestrohet një qese plastike e substancës së dyshuar për narkotikë me peshë prej 101.49 gram dhe një qese tjetër të dyshuar për narkotikë në peshë prej 0.82 gram i është gjetur në trupin e të pandehurit, e gjithë kjo sasi narkotiku në peshë të përgjithshme prej 102.31 gram, e cila pas ekzaminimit dhe ekspertimit nga Laboratori i Agjencisë Kosovare për Forenzikë, rezulton të jetë e llojit “kokainë”, përderisa të njëjtën natë në gjatë urdhër kontrollit të kryer në shtëpinë e të pandehurit, e cila gjendet në Prishtinë, janë gjetur dhe sekuestruar tri peshore digjitale, tri pako me folie (dy folie të najlonit dhe një e aluminit).
Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, i pandehuri lartëcekur për veprën penale për të cilën akuzohet të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.