Mungesa e njërit nga anëtarët e turpit gjykues, gjykatësit Xheladin Osmani, ka bërë që të dështojë seanca e paraparë për të premten, në Gjykatën Themelore në Prizren, në rastin ku ish-inkasanti i “Hidrogjenit Jugor”, Hafir Gallopeni, akuzohet për përvetësim në detyrë.
Ai akuzohet se duke punuar si inkasant ka përvetësuar para në shumë prej mbi 20 mijë euro, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Ajser Skenderi, ka bërë të ditur për “Betimi për Drejtësi”, se gjykatësi Osmani ka pasur një rast vdekje dhe sipas saj, për ketë arsye, ai nuk ka mundur të jep i pranishëm në seancën e së premtes.
Ajo ka bërë të ditur se kjo seancë është shtyrë për 17 dhjetor 2019, në ora 10:00.
Ndryshe, më 3 mars të vitit 2016, Prokuroria Themelore në Prizren, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurve Hafir Gallopeni, Faik Berisha, Isen Ramanaj dhe Dardan Gashi, për veprën penale “përvetësimi në detyrë”.
Ata akuzohen se në cilësi të inkasantëve në kompaninë e ujësjellësit “Hidroregjioni Jugor”, nga periudha mars 2013 – maj 2015, nuk e kanë dorëzuar të gjithë shumën e inkasuar nga konsumatorët, duke i shkaktuar kompanisë në fjalë dëm në vlerë rreth 26 mijë euro.
Mirëpo, të akuzuarit Faik Berisha, Isen Ramanaj dhe Dardan Gashi, pas ngritjes së aktakuzës, kanë arritur marrëveshje mbi pranimin e fajësisë, me organin e akuzës, ndërsa i akuzuari Hafir Gallopeni, nuk ka arritur një marrëveshje të tillë, andaj për të njëjtin procesi gjyqësor ka vazhduar ndaras. /BetimipërDrejtësi