24-11-2024

Prizren: Ndahet nga jeta veprimtari i çështjes kombëtare, Naim Krasniqi

Ka ndërruar jetë veprimtari i hershëm i çështjes kombëtare, NaimA.  Krasniqi, raporton Gazeta e Prizrenit.

Naim Krasniqi u lind më 3.3.1953, në Hoçë të Vogël të Rahovecit.
Veprimtarinë e filloi në vitet të 70-ta, si pjesë e Lëvizjes Studentore, me ç’rast për herë të parë u burgos në vitin 1981.

Ishte njëri ndër themeluesit e Frontit të Rezistencës dhe të Bashkimit Kombëtar, i cili u themelua më datë 11.11.1990. Në përbërje të frontit ishin edhe vëllezërit Hamëz dhe Adem Jashari, Shkëlzen Haradinaj, Ali Aliu e shumë personalitete të gjalla e heronj të luftës së fundit çlirimtare.

Naim Krasniqi u burgos së bashku me 19 pjesëtarë të tjerë të Frontit, më datë 19.11.1991 në Babaj të Bokës, në kufirin famëkeq të asaj kohe, që i ndante shqiptarët.

Ky ishte grupi i parë i armatosur dhe i uniformuar që u arrestua nga policia famëkeqe e Jugosllavisë.

Naim Krasniqi qëndroi në burg deri më datë 22.5.1995, ku me t’u liruar e filloi punën aty ku e kishin lënë së bashku me shumë shokë, ndër ta ishte edhe Heroi i Kombit, Xhevat Berisha.

Me te dalë nga burgu, menjëherë kontaktoi grupin e Drenicës, atë të Gllogjanit, heroin Adrian Krasniqi, si dhe Mujë Krasniqin me shokë. Nga ajo periudhë punoi në ndërtimin dhe në organizimin e rezistencës së armatosur, deri kur u arrestua për herë të tretë, më datë 22.4.1998 dhe mbeti i burgosur deri në maj të vitit 2001.

Kryetari i Rahovecit, Samjl Latifi ditë më parë në një postim e ka vlerësuar se “Baca Naim është thesar i pashterrshëm që na pasuron ne më të rinjve, duke na udhëzuar që të ecim drejtë, vetëm në një drejtim, të forcimit të atdheut dhe kombit, të bashkimit të tij”.

Sipas djalit të tij, Besnik Krasniqit, kryetar i degës së AAK në Prizren, i cili dha njoftimin mortor, ende nuk është caktuar koha e varrimit të të ndjerit, dhe për një gjë të tillë do të bëjnë të ditur gjatë ditës së sotme./ Gazeta e Prizrenit/

Asnjë koment

Comments are closed.