25-11-2024

Prizren: Ndaj këtyre zyrtarëve dhe drejtorëve ka bërë kallëzim penal Vetëvendosje! (Video)

Lëvizja Vetëvendosje në Prizren ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Themelore të Prizrenit ndaj Shaqir Totajt dhe vartësve të tij në komunën e Prizreni.

E në lidhje me këtë në një lidhje direkte në “Info Magazinë” në Klan Kosova ka folur asamblisti i VV-së në komunën e Prizrenit, Karanfil Haxhillari.

Ai tha se kronologjia e kësaj çështjeje penale rrjedh në bazë të vendimit të kuvendit komunal që, siç u shpreh ai, ka rënë në lajthitje.

“Kronologjia e kësaj çështjeje penale rrjedh në bazë të vendimit të kuvendit komunal që ka rënë në lajthitje, pra duke filluar nga komisioni përzgjedhës i drejtorëve, ku në bazë të udhëzimit administrativ thuhet qartë që personat, të cilët emërohen si komision përzgjedhës duhet të kenë integritet dhe të mos jenë së paku tre vjet në udhëheqje të strukturave politike dhe ne kemi këtu kryetarin e këtij komisioni, që është edhe anëtar i këshillit drejtues të një subjekti politik”, tha ai.

Ai u shpreh se këtij kallëzimi penal i janë bashkangjitur edhe faktet që ata persona janë edhe anëtarë të këshillit drejtues të subjektit politik, përcjell Klankosova.tv.

“Pra, ky kallëzim penal është bërë edhe ndaj komisionit përzgjedhës edhe ndaj drejtorëve, të cilët kanë nënshkruar deklaratën nën betim, këtij kallëzimi penal ia kemi bashkangjitur edhe faktet që këta janë edhe anëtarë të këshillit drejtues të subjektit politik, pra kanë nënshkruar deklaratën nën betim të rrejshëm”, tha ai.

Tutje, Haxhillari ka treguar emrat e të gjithë personave, ndaj të cilëve është bërë kallëzim penal.

“Kallëzimi penal është kundër të dyshuarve: kryetari i komunës, Shaqir Totaj, anëtari i komisionit përzgjedhës, Nexhat Maçkaj, drejtoresha e Arsimit, Luljeta Gutaj-Veselaj, ndaj Myvedete Gavazaj, drejtoreshë e emëruar, Vloran Cenaj, drejtor poashtu i emëruar, i cili ka qenë edhe drejtor i Drejtorisë së Arsimit në komunën e Dragashit, pastaj është edhe ndaj Bekim Nerjovajt, edhe ky i emëruar i cili është në strukturat e AAK-së dhe Vlora Karavidaj poashtu drejtoreshë e përzgjedhur në Prizren, e cila edhe kjo është anëtare e këshillit drejtues të PDK-së”, tha tutje ai.

Asnjë koment

Comments are closed.