Prizren: Ndërhyn policia, anulohet tubimi i Mozzikut
Drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, ka reaguar ndaj tubimeve të cilat po i mbanë reperi kosovar, Mozzik, nëpër qytetet e Kosovës.
Qalaj ka thënë se policia duhet të intervenojë dhe nuk duhet të lejojë turma të tilla të njerëzve.
“Ai e ka marr një leje në qendrën operative të MPB-së, ata janë përgjegjës. Policia duhet të intervenojë dhe nuk duhet të lejojë turma të tilla. Tash unë do të merrem me të”, ka thënë Qalaj për Insajderin.
Qindra fëmijë janë mbledhur sot në sheshin e Mitrovicës , përkundër masave të ashpra për pandeminë që Qeveria e Kosovës ka marrë së fundmi, e me të cilat ndalohen edhe tubimet me më shumë 5 persona nëpër sheshe.
Mirëpo, në sheshin e Mitrovicës pa maska e pa distancë sociale sot kanë qëndruar qindra fëmijë.
Ata janë mbledhur për të marrë pjesë në promovimin e albumit “Mozzart” të reperit Mozzik.
Vetë reperi Mozzik kishte paralajmëruar se do të bëjë promovimin e albumit të ri në shtatë qytete të Kosovës e ku do të dhurojë edhe disa CD të albumit të tij për të rinjtë.
Kjo ka bërë që sheshi i Mitrovicës të mbushet plot. Në pamje shihen kryesisht të rinj të moshave të reja teksa përshëndesin reperin i cili këtë turne po e bën me autobus.Teksa këta të rinj kanë “vërshuar” rrugët, policia nuk duket askund.