Prizren: Ngritet aktakuzë për narkotikë ndaj një personi
Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit S.K., për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.
Përmes një komunikate për media, njoftohet se sipas aktakuzës, me datë 29.01.2022, rreth orës 16:00 në Prizren, i akuzuari S.K., pa autorizim posedon me qëllim të shitjes apo shpërndarjes substanca apo preparate, të cilat janë shpallur me ligj si narkotikë, në atë mënyrë që pasi policia në afërsi të lagjes ‘’Bazhdërhane’’ në Prizren, ndalon automjetin e markës ’’Citroën C3’’, ngjyrë hiri metalike, të cilin ishte duke e drejtuar i pandehuri, me ç’rast pas kontrollit fizik të automjetit, tek ulësja e pasagjerit i është gjetur dhe sekuestruar: –Një (1) qese najloni e mbushur me substancë narkotike të llojit marihuanë, me peshë prej 1152.82 gram.”, thuhet në komunikatë.
“Pas zbatimit të urdhër kontrollit, në lokalin e tij i cili gjendet në Prizren, në një bunker të improvizuar brenda lokalit policia arrin të gjejë dhe sekuestrojë: Nëntë (9) qese najloni të mbushura me substancë narkotike të llojit marihuanë, me peshë gjithsej 8.883.38 gram; Disa qese plastike të cilat kanë qenë të destinuara për paketim të lëndëve narkotike”, thuhet në kumtesë.
Po ashtu, pas zbatimit të urdhër-kontrollit tek shtëpia e tij në Prizren, thuhet se policia arrijnë të gjejnë dhe sekuestrojnë: Dy (2) lule me substancë narkotike të llojit Marihuanë me peshë prej 1.88 gram.
Me këto veprime, sipas prokurorisë, i pandehuri i lartcekur ka përmbushur elementet e veprës penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” nga neni 267, paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
“Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, i pandehuri i lartcekur për veprën penale për të cilën akuzohet të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.”, përfundon komunikata.
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë