Prizren: Nisën punimet për ndërtimin e memorialit kushtuar Komandant Drinit
Në Prizren kanë filluar punimet për ndërtimin e Memorialit kushtuar Komandant Ekrem Rexhës -i njohur gjatë luftës me nofkën Drini.
Ashtu siç ishte paraparë, projekti ka nisur në mjediset e oazës së gjelbër, përballë selisë së Kuvendit Komunal, tek “Shtëpia e Bardhë, shkruan Gazeta e Prizrenit.
Kohë më parë është njoftuar se vlera e përgjithshme e kontratës për ndërtimin e Memorialit është 139.509,19 euro.
Komandanti i UÇK-së, Drini u vra në rrethana misterioze, para shtëpisë së tij në lagjen “Bazhdarhane”, mëngjesin e 8 majit të vitit 2000, në kohën kur po punonte si drejtor komunal për Emergjencë.
Në momentin kritik ai kishte dalë të ndezte veturën për të shkuar në punë, ndërsa ishte qëlluar me armë automatike, derisa po shikonte gomën e parë të veturës, nga ana e shoferit që ishte shpuar qëllimisht.
Për zbardhjen e vrasjes, nën drejtimin e ndërkombëtarëve në Prizren janë mbajtur dy procese gjyqësore, por në mungesë provash, të akuzuarit, ish-pjesëtarë të UÇK-së, por edhe ish-shokë të “Drinit”, janë liruar. /GazetaePrizrenit.net