Prizren: Një polic në mesin e katër instruktorëve të arrestuarve te poligonit
Në mesin e personave të arrestuar me aktvendim të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, në poligonin “Dreni Ing” në Prizren, është dhe zyrtari i Stacionit Policor në Prizren, Halil Nezaj.
Zyrtari policor Nezaj është ndaluar mbi dyshimet për kryerjen e veprës penale “Falsifikim i dokumentit zyrtar”.
“Betimi për Drejtësi” i është adresuar me pyetje Drejtorisë Rajonale të Prizrenit më 23 shkurt, duke kërkuar informacione për disa zyrtarë policorë nëse posedojnë leje për punë dytësore.
Mirëpo, Nezaj bazuar në përgjigjen e Drejtorisë, nuk ka leje nga Policia e Kosovës, ndonëse kishte më parë, ajo tashmë i ka skaduar.
“Policët H.N .. kanë pasur leje për punë dytësore, mirëpo lejet e tyre tashmë kanë skaduar”, thuhet në përgjigjen e togerit Shaqir Bytyqi.
Ndryshe, Nezaj në bisedë e sipër me personin e infiltruar nga “Betimi për Drejtësi” ka kërkuar ryshfet në vlerë prej 550 euro, për t’i mundësuar pajisjen me leje për armë pa marrë pjesë në testin me shkrim dhe atë praktikë.
“Personi i infiltruar: E çdo muaj ka a?
Poligoni: Një herë në muaj ka.
Personi i infiltruar: 550 euro kushton a?
Poligoni: Po thom, ndrysh s’muj, duhet pak ma shumë me ju dhanë me bo diçka.
Personi i infiltruar: A e kryn?
Poligoni: Po po thom që 99 për qind e kryj..”, ishte shprehur mes të tjerash ai.
I njëjti rezulton të ketë qenë pjesë edhe e hetimit bashkë me tre punëtorë të tjerë të poligonit Dreni Ing, të cilin po e zhvillonte Prokuroria Themelore në Prishtinë bashkë me Krimet Ekonomike të Policisë së Kosovës.
Ai bashkë me tre punëtorë të tjerë të poligonit “Dreni Ing”, dyshohen se i mundësuan një personi pajisjen me certifikatën për testimin praktik me armë, pa qenë fare prezent.
Përveç tyre, në aksionin e 19 janarit, Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte lëshuar aktvendim edhe për arrestimin e 4 personave të tjerë, në mesin e tyre 2 zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, të cilët i kishin mundësuar pajisjen me leje për armë përkundër se personi nuk kishte qenë pjesë e testit me shkrim.

Zyrtari policor Nezaj bashkë me dy të tjerë janë arrestuar me dyshimet për kryerjen e veprës penale “Falsifikim i dokumentit zyrtar”, ndërsa personi i katërt është arrestuar me dyshimet për kryerjen e veprës penale “Rastet e posaçme të falsifikimit të dokumenteve”. /BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.
