Prizren: Një polic u arrestua nga IPK, për dhunë në familje
Hetuesit e Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK) kanë arrestuar mbrëmë një zyrtar policor në Prizren, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “dhunë në familje”.
Burime të Gazeta Sinjali bëjnë të ditur se i arrestuari është K. I.
Sipas njoftimit të IPK-së, “IPK kishte pranuar informacione dje në orët e pasdites lidhur me dyshimin se një zyrtar policor në Prizren ka kryer veprën penale dhunë në familje. Pas pranimit të informacionit, hetuesit e IPK-së kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore”.
Në të njëjtin njoftim theksohet se, pas veprimeve fillestare hetimore, rasti është konsultuar me prokurorin kompetent dhe më pas, me vendim të prokurorit, zyrtarit policor i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.
IPK bën të ditur gjithashtu se zyrtari është suspenduar nga detyra me rekomandim të IPK-së, si pjesë e procedurave administrative dhe hetimore të Policisë së Kosovës.
“Hetuesit e IPK-së në koordinim të plotë me Prokurorinë Themelore në Prizren do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast”, thuhet në fund të njoftimit të Inspektoratit Policor.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata