Prizren: Pandemia riformëson punën në redaksitë e mediave lokale
Mediat lokale në Prizren prej kohësh përballen me sfidën e mbijetesës, shkaku i të hyrave të kufizuara financiare nga marketingu. Situata e krijuar si pasojë e pandemisë COVID-19 përkatësisht me masat kufizuese për frenimin e përhapjes së koronavirusit kanë rënduar më shumë pozitën e këtyre mediave.
Kjo gjendje ka ndikuar në kushtet e punës së punonjësve, por edhe në dinamikën e redaksive të mediave lokale në Prizren në forma të ndryshme. Përderisa në media të caktuara nuk janë prodhuar e emetuar lajmet, në redaksi tjera është punuar me orar të zgjatur për informimin e shikuesve. Ndërkohë ka pasur edhe media që është dashur t’i përshtaten rrethanave të reja, duke krijuar alternativa për bashkëpunim me partnerët nga shoqëria civile në kohë pandemie.
Radio Prizreni është radioja më e vjetër në Prizren. Sipas drejtuesve të saj është njëra prej mediave lokale më të goditura nga pandemia COVID-19, pasi që për 3 muaj redaksia nuk ka punuar, ndërkohë që vetëm tekniku në mëngjes ka vendosur programin 24 orësh.
“Gjatë tre muajve të shkuar si pasojë e situatës së krijuar nga pandemia COVID-19 në radion tonë nuk kemi pas staf që kanë punuar rregullisht, pra gazetarë. Vetëm në rast nevoje e ftojmë apo e angazhojmë ndonjërin prej gazetarëve. Aktualisht paguhet vetëm një punëtor, dhe ai është tekniku, i cili e lëshon programin ditor, që përbëhet nga këngët dhe reklamat. Lajme nuk kemi emetuar, sepse nuk po kemi mundësi me i pagua gazetarët. ‘Radio Prizreni’ asnjëherë nuk ka qenë në këtë pozitë”, ka thënë drejtori i “Radio Prizrenit”, Mehdi Xhibo.
Ai ka pohuar se deri në vitin 2000 kjo radio është financuar nga Komuna e Prizrenit, pasi që është themeluar nga Kuvendi Komunal, ndërkohë që pas vitit 2000 është regjistruar si organizatë joqeveritare, duke mbajtur veten me të hyrat nga marketingu dhe me projekte të caktuara nga donatorët.
“Të hyrat nga marketingu janë të ulëta sepse në Prizren po dihet si është gjendja e afaristëve dhe zejtarëve, pra edhe ata janë në pozitë të vështirë. Gjatë pandemisë edhe shumë reklama na janë ndërprerë, kështu që mbetëm vetëm me 2-3 reklama, që kanë pasur kontrata vjetore”, ka deklaruar Xhibo.
Sipas tij, pritjet janë që ndonjë projekt i radios të përkrahet nga donatorët, ashtu që të angazhohen gazetarët për realizimin e radio emisioneve në gjuhën shqipe dhe për 3 orë në atë turke.
“Të shohim çka do të ndodh tash e tutje. Nëse ka përmirësim të hyrave nga marketingu atëherë do ta vazhdojmë traditën shumëvjeçare të radios, të cilën ne po mundohemi me çdo kusht që ta mbajmë”, është shprehur Xhibo.
Ndërsa gazetari i “Televizionit të Prizrenit”, Nuhi Salihu ka theksuar se pandemia ashtu siç ka goditur ekonominë ka prekur edhe qëndrueshmërinë financiare të këtij mediumi. Por sipas tij zvogëlimi i të hyrave nuk ka ndikuar në kushtet e punës së punonjësve apo në dinamikën e punës brenda redaksisë, përpos faktit që disa punëtorë kanë qenë të angazhuar përtej orarit të zakonshëm për shkak të situatës së krijuar.
“Goditja që pandemia i ka bërë ekonomisë përkatësisht bizneseve ka ndikuar edhe në mediumin tonë. Edhe ne jemi prekur nga kjo pandemi. Por përkundër kësaj sfide redaksia ka vazhduar punën e vet pa u ndikuar nga qëndrueshmëria financiare. Madje disa punëtorë kanë qenë të angazhuar edhe përtej orarit që punojnë zakonisht. E njëjta gjë po vazhdon edhe tani pasi ende ndodhemi në këtë situatë jo të zakonshme dhe këto sfida po vazhdojnë”, ka thënë Salihu.
Sipas tij që prej fillimit të pandemisë janë shtuar angazhimet në këtë medium, pasi që krahas raportimit gjatë ditës, ka pasur angazhime edhe në orët e mbrëmjes, meqë në atë kohë shpalleshin rezultatet nga IKSHPK-ja për numrin e pacientëve të infektuar nga koronavirusi.
“Për mua personalisht kjo periudhë nuk ka qenë sfiduese. Ka qenë pjesë e punëve të përditshme që i kam si gazetar në këtë medium, dhe besoj se ia kemi dalë duke informuar saktë, drejtë dhe me kohë të gjithë ata që na ndjekin në ekran dhe përmes rrjeteve sociale. Gjithë kjo punë ka pas një gjë përtej asaj të zakonshmes, sepse qytetarët janë përballur me ankth, sidomos në fillim të pandemisë ka pas një pasiguri të madhe te qytetarët, ku kemi pas shumë informacione dhe jemi orvatur që me profesionalizimin që posedojmë të arrijmë deri te lajmi i vërtetë, sepse kanë qarkulluar lloj lloj informacionesh”, ka deklaruar Salihu.
Ai ka theksuar se në “TV Prizreni” nuk ka pas ndryshim në numër të stafit, derisa raportimi për ngjarjet ka vazhduar.
“Më shumë kemi pasur paraqitje të drejtpërdrejta nga institucionet e ndryshme, sidomos ato shëndetësore, pastaj të qeverisë lokale dhe të sigurisë”, është shprehur Salihu.
Ndërkaq Fatmir Menekshe nga “Radio Romano Avazo” (“Radio Zëri i Romëve”) pranon se pandemia në fillim ka sfiduar punën në këtë radio që emeton program vetëm në gjuhën rome.
“Në fillim ndaluam punën, pra nuk dilnim në redaksi, por punonim prej shtëpisë, ku programi vazhdoi vetëm me muzikë. Ndërsa lajmet i publikonim në ueb faqen tonë dhe në rrjetet sociale. Një gjë e tillë ka bërë që të rritet numri i vizitorëve në ueb faqen tonë dhe numri i ndjekësve në rrjetet sociale, ngase popullata ishte e interesuar për zhvillimet e fundit. Pra, edhe komuniteti rom ka pasur rastin që t’i lexojë lajmet në gjuhën rome rreth COVID-19, por edhe rreth situatës politike në vend, ku kishte mjaft zhvillime edhe në kohë pandemie”, ka thënë Menekshe.
Mirëpo, sipas tij pas javës së parë të mbylljes ishte parë e nevojshme puna në terren, meqë duhej vetëdijesuar komunitetin lidhur me frenimin e përhapjes së koronavirusit. Ai ka pohuar se puna në redaksi është koordinuar ashtu që kolegët e moshuar kanë punuar nga shtëpia, derisa kolegët e rinj kanë punuar me orare të caktuara, me qëllim të zbatimit të masave mbrojtëse.
“Programet me mysafirët i kemi realizuar përmes telefonatave në mënyrë që mos ta rrezikojmë shëndetin e askujt”, ka shtuar Menekshe.
Sipas tij në fillim të pandemisë edhe të hyrat financiare kanë qenë të kufizuara, por kjo nuk e ka penguar stafin që të përmbushte misionin që ka.
“Ne punojmë për komunitetin, dhe patjetër duhet të përkushtohemi dhe t’i informojmë qytetarët se çfarë po ndodh. Edhe më herët ne kemi pas periudha kur kemi punuar pa të ardhura për një kohë të caktuar dhe ia kemi dalë. Kështu jemi mësuar nga të parët dhe po e vazhdojmë praktikën e tyre”, ka deklaruar Menekshe.
Ai tregon se radioja me vetiniciativë kishte realizuar një reklamë vetëdijsuese lidhur me COVID-19 dhe se pas kësaj edhe OJQ-të e kanë parë mundësinë që përmes radios ti realizojnë ose promovojnë aktivitetet e tyre.
“Kësisoj, si në sferat tjera, u gjet një mënyrë alternative për të vazhduar punën dhe bashkëpunimin. Pra mund të them se kemi kaluar mirë duke punuar dhe duke informuar qytetarët tanë”, është shprehur Menekshe.
Raportimi i mediave lokale të Prizrenit në kohë pandemie është vlerësuar edhe nga aktivistët e shoqërisë civile. Eroll Shabani në cilësinë e anëtarit të Shtabit emergjent lokal të fshatit Skorobishtë, vendbanim ky që ishte vendosur në karantinë me qëllim të frenimit të përhapjes së koronavirusit, ka theksuar se raportimi i mediave lokale lidhur me pandeminë ka qenë në nivel.
“Mediat lokale të Prizrenit kanë qenë korrekte në raportim sa i përket pasqyrimit të situatës në kohë pandemie. Pas paraqitjes së rasteve të para me koronavirus ka pas një lloj paniku te qytetarët. Por mediat lokale të Prizrenit mund të them se kanë qenë të kujdesshme në këtë drejtim. Ato nuk kanë përhapur lajme të pabazuara në fakte”, ka thënë Shabani.
Ndërsa monitoruesja nga radhët e shoqërisë civile në Prizren, Elmedina Dorambari ka deklaruar se mediat lokale në përgjithësi kanë luajtur rol të rëndësishëm në informimin e qytetarëve gjatë emergjencës shëndetësore, pavarësisht se janë përballur me problemin konstant, atë të qëndrueshmërisë financiare.
“Raportimi i mediave lokale kryesisht si burim të informacionit ka pas udhëheqësit lokalë, IKSHP-në e organet sigurisë, duke informuar qytetarët për rastet e paraqitura por mbi gjitha edhe për senzibilizimin e qytetarëve mbi pandeminë COVID-19”, ka deklaruar Dorambari.
Komisioni i Pavarur i Mediave në mars të këtij viti i pat bërë thirrje të gjitha mediave që të raportojnë sipas standardeve profesionale të gazetarisë për pandeminë COVID-19.
Edhe Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës në muajin mars pat apeluar tek të gjitha mediat dhe transmetuesit e shtypur dhe online që “informacionet për përhapjen e pandemisë të verifikohen nga burimet zyrtare në mënyrë që mos të përhapet paniku tek popullata”./Fisnik Minci/
Ky artikull është shkruar në kuadër të projektit “Promovimi i Edukimit Medial dhe Forcimi i Gazetarisë së Pavarur në Ballkanin Perëndimor”, i cili realizohet me fonde të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar përmes Ambasades Britanike në Prishtinë dhe Albany Associates.
Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi vetëm e autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmerisht pikëpamjet e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar.