Prizren: Paraburgim ndaj të dyshuarit për vrasje në tentativë dhe armëmbajtje pa leje
Gjykata Themelore në Prizren e ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prizren, për caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditëve ndaj Demokrat Morinës, i dyshuar për kryerjen e veprës penale të vrasjes në tentativë, si dhe atë të armëmbajtjes pa leje.
Në seancën e së premtes, prokurori Mehdi Sefa deklaroi se qëndron në tërësi pranë kërkesës për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit Morina, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në anën tjetër, mbrojtësi i të dyshuarit Morina, avokati Gent Gjini deklaroi se e kundërshton kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj klientit të tij, duke kërkuar të caktohet masë tjetër alternative.
Pas këtyre, gjyqtarja e procedurës paraprake Teuta Krusha mori aktvendim për caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditëve, ndaj të dyshuarit Demokrat Morina, i cili kishte qenë në arrati deri me 3 dhjetor, kur dhe është arrestuar nga Policia e Kosovës.
Sipas aktvendimit për fillimin e hetimeve nga prokurori Mehdi Sefa, i pandehuri Demokrat Morina po dyshohet se më 23 nëntor 2020, në rrugën “Latif Berisha” në Prizren, pas një mosmarrëveshje paraprake, tenton ta privoj nga jeta Sami Kryeziun, në atë mënyrë që pas një mosmarrëveshje e nxjerr pistoletën e markës “Ekol” special 99 dhe shtënë në drejtim të dëmtuarit, duke e plagosur rëndë në pjesën e sipërme të këmbës së majtë.
Me këto veprime, ai po dyshohet se ka kryer veprën penale të vrasjes në tentativë.
Sipas pikës së dytë të aktvendimit për fillimin e hetimeve, i pandehuri Morina po dyshohet se më datë dhe vend të njëjtë si në pikën e parë të aktvendimit për fillimin e hetimeve, ka poseduar në mënyrë të kundërligjshme armën e llojit “Ekol” special së bashku me një karikator dhe pesë fishekë, me të cilën e plagosë në pjesën e epërme të këmbës së majtë të dëmtuarin Sami Kryeziu.
Me këto veprime, ai po dyshohet se ka kryer veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.