24-11-2024

Prizren: Paraburgim personit për sulm ndaj policëve

Gjykata Themelore e Prizrenit, ia ka caktuar masën e paraburgimit në kohë zgjatje prej një (1) muaj,  të pandehurit me iniciale B.RR nga fshati Kobaj i Prizrenit,  për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale, mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, shkruan “GazetaePrizrenit.net”.

Po ashtu ai ngarkohet edhe për përdorimi të armës apo mjetit të rrezikshëm dhe veprës penale sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare.

Në përshkrimin e lëndës, thuhet se me datën  29.03.2019, rreth orës 21:10 minuta, në shtëpinë e tij familjare në fshatin Kobaj, i pandehuri ka gjuajtur me armë fillimisht jashtë shtëpisë dhe pastaj edhe në dhomën e gjumit tek prindërit e tij.

Pas arrestimit i njëjti ka tentuar të arratiset, ka sulmuar policët të cilët kanë tentuar ta ndalojnë dhe është ndaluar nga ana e policisë jashtë Stacionit Policor ku sërish është arrestuar. Nga deklarata e prindërve shihet se i pandehuri ka probleme psikike dhe çrregullime mendore si dhe është agresiv. Gjithashtu në shkresat e lëndës është bashkangjitur raporti mjekësor i QKMF në Prizren, lidhur me trajtimin mjekësor që i është dhënë të dëmtuarve  – policëve me iniciale V.K. dhe M.I. viktimave nga sulmi fizik.

Sa i përket kërkesës për zbatimin e ekzaminimit psikiatrik të propozuar nga prokurori i shtetit, gjykata konsideron se janë plotësuar kushtet ligjore që të pandehurit t’i caktohet paraburgimi dhe t’i urdhërohet ekzaminimi psikiatrik, duke pasur parasysh se i pandehuri nuk është deklaruar në Polici, i ka sulmuar policët, e ka kërcënuar mbrojtësin e tij dhe ka qenë agresiv gjatë tërë kohës së ndalimit duke mos komunikuar.

Në njoftim, thuhet se gjatë seancës, gjyqtarja e procedurës paraprake nuk ka mundur të komunikoj me të pandehurin i cili është sjellë nga ana e Forcave Speciale të Policisë,  pasi që policët e rregullt nuk kanë mundur ta sjellin para gjykatës. “Pasi që i pandehuri ka shenja të çrregullimit psikik , gjykata ka urdhëruar që të bëhet ekzaminimi psikiatrik në Institutin e Psikiatrisë Forenzike, pranë QKUK-së në Prishtinë. Duke pasur parasysh rrethanat e kryerjes së veprës penale, karakteristikat personale të pandehurit si dhe fakti se palët jetojnë në një shtëpi, sipas konstatimit të gjykatës caktimi i masës së paraburgimit tani për tani është më se i domosdoshëm dhe i arsyeshëm”, thuhet në njoftimin nga Gjykata. /GazetaePrizrenit.net

Asnjë koment

Comments are closed.