Prizren: Paraburgim pronarëve të dy kompanive për falsifikim të dokumenteve dhe mashtrim në prokurim publik
Gjykata Themelore në Prizren i ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditëve, e cila do të llogaritet prej kohës së arrestimit ndaj të pandehurve G.P., S.S., dhe B.S.
G.P., S.S. dhe B.S. dyshohet se kanë kryer veprat penale “keqpërdorim dhe mashtrimi në prokurim publik” dhe “falsifikim i dokumenteve”
Gjykata me rastin e caktimit të paraburgimit ndaj të pandehurve G.P., S.S., dhe B.S., ka gjetur se në rastin konkret ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit kanë kryer veprat penale për të cilat dyshohen, dhe ky dyshim i bazuar mbështetet në provat e mbledhura deri në këtë fazë të procedurës.
Tri ditë më parë, Policia arrestoi tre personat, pas mbledhjes së informacioneve nga Prokuroria e Prizrenit lidhur me një publikim të Rrjetit të Organizatave Joqeveritare “AVONET”.