Prizren: Paraburgim të dyshuarës për vrasjen e 67-vjeçares në Dragash
Në seancën e paraburgimit në Gjykatën Themelore në Prizren, e dyshuara N.A., e ka pranuar fajësinë se e rrahu për vdekje viktimën S.D. (67-vjeçare).
“Po e kam rreh vallahin, e kam rreh, mas 3-4 dite ka vdek… motër të burrit e kam pas, që 26 vjet u kanë në shpi teme, e kam ruajt, jam kujdesë”, tha e dyshuara.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prizren, të mërkurën ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarës N.A, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“E pandehura N.A., me dashje ka privuar nga jeta anëtaren e familjes – motrën e bashkëshortit të saj, me të cilën ka bashkëjetuar në ekonomi të përbashkët familjare, në atë mënyrë që me datë 23.12.2022, rreth orës 10:00, derisa e ndjera ishte e shtrirë në njërën nga dhomat e shtëpisë, e pandehura me anë të një shkopi prej druri të modifikuar e godet disa herë viktimën në kokë dhe në pjesë të ndryshme të trupit duke i shkaktuar gjakderdhje në tru, dhe si pasojë e këtij lëndimi e njëjta ka ndërruar jetë me datë 26.12.2022, rreth orës 05:30″, thuhej në njoftimin e prokurorisë.
Ndryshe, e dyshuara N.A është arrestuar të martën dhe në prani të mbrojtësit të saj e ka pranuar se ka kryer vrasjen e tani të ndjerës S.D.
Ndryshe, S.D u gjet pa shenja jete të hënën në fshatin Kuk të Dragashit, ndërsa rasti fillimisht ishte hapur si vdekje e dyshimtë.