Gjykata Themelore në Prizren i ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji D.N. për shkak të dyshimit se ka sulmuar fizikisht bashkëshorten e djalit të tij.
Sipas njoftimit nga Gjykata, më datë 28 shkurt në Prizren në shtëpinë e tyre i pandehuri i ka shkaktuar lëndim trupor dhe përkohësisht ia ka dëmtuar shëndetin të dëmtuarës.
Pas një mosmarrëveshje të çastit, ditën kritike, i pandehuri i revoltuar nga dyshimet e tij se e dëmtuara nuk po kujdeset për fëmijën e saj, fillimisht e ka ofenduar me fjalë, pastaj edhe e ka sulmuar fizikisht duke e kapur në krahun e majtë, e godet me grushte në pjesën e fytyrës si pasojë e së cilës e dëmtuara rrëzohet në tokë, me ç’ rast të njëjtës i ka shkaktuar lëndime trupore, sipas raportit mjekësor.
Nga të lartcekurat, Gjykata ka ardhur në përfundim se caktimi i paraburgimit në këtë fazë është i arsyeshëm dhe i domosdoshëm, për rrjedhën e pa penguar të procedurës hetimore, parandalimin e përsëritjes së veprës penale, apo kryerjen e një vepre penale edhe më të rëndë, andaj ndaj të pandehurit u caktua masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji.