Prizren: Paraburgim të dyshuarit se në emër të fajdesë përfitoi mbi 78 mijë euro
Gjykata Themelore në Prizren, të mërkurën, ka marrë vendim me të cilin ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prizren, duke ia caktuar të dyshuarit Beqir Hoxha, masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh.
Përmes një komunikate për medie, gjykata ka njoftuar se të dyshuarit Hoxha, masa e paraburgimit do t’i llogaritet nga 22 gushti 2023 deri më 22 shtator 2023.
Ndryshe, në arsyetimin e kërkesës për caktimin e masës së paraburgimit të parashtruar nga Prokuroria Themelore në Prizren, më 23 gusht 2023, thuhet se prokurori i shtetit me vetë-inciativë ka ndërmarrë veprimet hetimore, pasi viktima F.S kishte raportuar drejtpërdrejt rastin, me ç’rast i njëjti kishte dorëzuar edhe dëshmi.
Tutje, në arsyetim thuhet se qëndrojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit, ngase ekziston rreziku që me lënien në liri të dyshuarin, të arratiset dhe të jetë i pakapshëm për organet e drejtësisë.
Gjithashtu, në kërkesë thuhet se i pandehuri mund të pengojë rrjedhën e procedurës penale, në të dëmtuarin dhe dëshmitarët e rastit.
Po ashtu, në arsyetim thuhet se Hoxha ka të kaluar kriminale, ku figuron në nëntë raste si i dyshuar kryesisht për vepra penale kundër jetës dhe trupit, si dhe veprat penale kundër rendit publik.
Ndryshe, ndaj Hoxhës, Prokuroria Themelore në Prizren kishte filluar hetimet më 21 gusht 2023, nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Fajdeja”.
Sipas vendimit, në muajin qershor të vitit 2016 duke qenë se iu duheshin para për të investuar në biznesin familjar, fillimisht i dëmtuari Sh.S., ia kishe marrë të pandehurit Hoxha shumën e të hollave prej 6 mijë euro, ku me rastin e dhënies së të hollave i pandehuri 600 euro i ndal në emër të kamatës mujore dhe e paralajmëron se për çdo vonesë duhet të paguaj nga 600 euro kamata mujore.
Kurse, i dëmtuari F.S., thuhet se nga muaji qershor 2016 deri në muajin prill 2023, në emër të shumës së marrë nga babai i tij prej 6 mijë euro, vazhdon të paguajë nga 600 euro kamata mujore, duke i dhënë në total të pandehurit shumën prej 49 mijë e 200 euro.
Tutje thuhet se, i dëmtuari F.S i gjendur në gjendje të rëndë ekonomike dhe duke mos arritur t’i paguajë shumat e kamatave, më 18 shkurt 2018 merr nga i pandehuri Beqir shumën e të hollave në vlerë prej 3 mijë euro, ndërsa në muajin mars nga i njëjti merr shumën e të hollave prej 2 mijë euro, për të cilat paralajmërohet nga i pandehuri se për çdo vonesë duhet të paguajë nga 500 euro kamata mujore.
“I dëmtuari nga muaji mars 2018 deri në muajin janar 2023, në emër të shumës së marrë prej 5.000 euro vazhdon të paguaj nga 500 euro kamata mujore duke i dhënë në total të pandehurit shumën prej 29 mijë euro, në total i dëmtuari paguan në emër të kamatave për të pandehurin shumën prej 78,200 (shtatëdhjetë e tetë mijë e dyqind) euro, kur i dëmtuari nuk arrin t’i paguaj kamatat, i pandehuri e paralajmëron se përveç borxhit bazë të marrë në fillim, për çdo vonesë i dëmtuari duhet të paguaj nga 200 (dyqind) euro kamata ditore”, thuhet në vendim.
Në vendim thuhet se, me këto veprime, Hoxha kishte për të kryer veprën penale “Fajdeja” nga neni 331, par.3, lidhur me par.1 të KPRK-së./BpD
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.