Në ekzekutivin lokal të Prizrenit, të drejtuar nga kryetari Mytaher Haskuka paralajmërohen ndryshime në sektorët më të rëndësishme të qeverisjes.
Aktualisht bëhet fjalë së paku për tre drejtorë, dy prej të cilëve nga Vetëvendosje dhe njëri nga LDK.
Portali “GazetaePrizrenit.net” ka mësuar se fjala është për drejtorin e Shërbimeve Publike, Levent Kasëmin, drejtoreshën e Arsimit, Xhemile Thaçi- Vezgishin (VV) dhe atë për Urbanizëm, Fatmir Memajn (LDK).
“Kjo çështje është në shqyrtim, por për shkak të situatës së fundit në nivel qendror, nuk ka pasur mundësi të analizohet hollësisht”, konfirmoi për “Gazetën e Prizrenit” një burim i besueshëm zyrtar, me kusht anonimiteti.
Sipas informacioneve të gazetës, kërkesa për ndryshime ka ardhur pas kritikave nga shoqëria civile dhe mediet për shkak të tenderëve të kushtueshëm në dëm të buxhetit. Ndërkaq, presion dhe kritika ka pasur edhe nga opozita në Prizren.
Për drejtorin Kasëmi, madje thuhet se kërkesa për ndërrim ka ardhur nga qendra. Kujtojmë se ai ka aktakuzë të ngritur nga ana e Prokurorisë në Prizren.
Pushteti lokal në Prizren, që prej dy vjet e gjysmë drejtohet nga Haskuka i Vetëvendosjes, përkundër premtimeve për ndërrimin e diskursit të qeverisjes nga ish-PDK, prej të cilës mori pushtetin, shpesh është përballur me aktakuza. Për një periudhë të shkurtë, tashmë një numër i zyrtarëve akuzohen për “probleme” me drejtësinë.
Një javë më parë, Haskuka ka suspenduar nga detyra shefin e zyrës ligjore në Komunën e Prizrenit, Arben Krasniqi. Një masë e tillë, ndërkaq nuk u aplikua edhe ndaj përfaqësuesit ligjor, Shqipron Krasniqit, i cili bashkë me A. Krasniqin, në janar kanë mbajtur nga një muaj paraburgim, nën dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Vitin e kaluar është dorëhequr drejtori për Ekonomi dhe Financa, Ertan Simitçi, për shkak të aktakuzës së ngritur. Ky hap më tepër erdhi si vetëdorëzim karshi presionit të shoqërisë civile e madje edhe reagimit të ambasadës amerikane, përcjell Gazeta e Prizrenit.
Sa ishte në opozitë, Haskuka është lavdëruar për qeverisje të pastër. Sapo mori pushtetin, ai pranoi në kabinetin e tij, Fatmir Memajn, drejtor për urbanizëm, të dënuar për pengim të personave zyrtarë, apo policisë, e për më keq, drejtori tjetër, Ehat Oreshka (Nisma), që drejton Kulturën, ishte i dënuar për veprat penale falsifikim të dokumentit dhe legalizim të përmbajtjes së rreme.
Një çështje e pasqaruar, ndërkaq ka mbetur për opinionin deklarimi i Haskukës, kur në shkurt në një konferencë mediesh njoftoi për prishjen e koalicionit me partnerin e saj më të madh, LDK-në, pas dështimit për zgjedhjen e kryesuesit të Kuvendit Komunal.
Përkundër kësaj, tre drejtorë nga LDK dhe nënkryetari i komunës, Eshref Memaj, vazhduan punën normalisht, ndonëse opozita pat njoftuar se Haskuka kishte nënshkruar edhe vendimet për shkarkimin e tyre.
Sa i përket drejtorit të Urbanizimit, F. Memajt, njoftohet se ai mund të pësojë për shkak të përçarjeve në kryesinë e partisë së tij në Prizren.
Në fakt, ekzekutivi lokal ka edhe probleme të tjera, pasi nuk janë vetëm këta zyrtarë të akuzuar të Komunës. Për keqpërdorim të pozitës zyrtare, po ashtu akuzohen edhe dy drejtorë të tjerë, ai i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Fejzë Kabashi, si dhe ish-drejtori për Kadastër e Gjeodezi. Aktakuzë është ngritur edhe ndaj Islam Thaçit, drejtor për Inspektorate.
Prokuroria në Prizren tashmë ka ngritur aktakuzë edhe kundër pesë zyrtarëve të tjerë komunalë, për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Pos Simitçiut, deri tash nga ekzekutivi janë larguar edhe Flaka Siqeca (ish drejtoreshë për Shëndetësi, që shkoi në studime), dhe dy ish-drejtorët e Arsimit: Skënder Susuri dhe Gani Gërmizaj (të dy nga Nisma). /GazetaePrizrenit.net /