Prizren: Për organizim të bixhozit arrestohet një i dyshuar, sekuestrohen 9 aparate të lojërave
Policia njofton se ka arrestuar të dyshuarin O.P, nën dyshimin për organizim të skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm si dhe janë sekuestruar 9 aparate të lojërave të fatit.
Lajmi u bë i ditur përmes një njoftimi për medie nga policia, ku thuhet se të mërkurën rreth orës 22:30, Policia në Prizren kishte pranuar një informatë se në rrugën “Xhem Gostivari” në Prizren, disa persona janë duke luajtur bixhoz.
“Veprimet e Policisë kanë qenë të menjëhershme, ku brenda lokalit janë hasur persona të dyshuar ku njeri është deklaruar si punëtor, kurse personi tjetër i dyshuar ka qenë duke luajtur në aparate bixhozi. Brenda në lokal janë hasur 9 aparate të lojërave të fatit (8 nga ta, të ndezur funksional dhe 1 (një) i fikur) asnjëri nga ta nuk kishte numër serik”, thuhet në njoftim.
Sipas policisë, në lidhje me veprimet policore është kontaktuar prokurori, i cili ka udhëzuar që aparatet të sekuestrohen në cilësinë e provave materiale
“Është njoftuar edhe Dogana e Kosovës të cilët kanë deklaruar se do t’i verifikojnë aparatet”, njofton tutje policia.
Policia njofton se në lidhje me këtë rast, me aktvendim të prokurorit, në afat prej 48 orësh është ndaluar i dyshuari dhe rasti është duke u hetuar.