Prizren: Përfaqësuesit e televizioneve lokale tregojnë për kontratat e tyre me Komunën
Tre përfaqësuesit e televizioneve lokale TV “Besa”, TV “Opinion” dhe TV “Prizreni”, me propozimin e mbrojtjes janë dëgjuar në cilësi të dëshmitarëve, në seancën e së premtes ndaj dy ish-drejtorëve të Drejtorisë së Financave në Komunën e Prizrenit, Ertan Simitqi dhe Zenel Ahmetaj, të cilët akuzohen për keqpërdorim të pozitës zyrtare.
Ata akuzohen se kanë lidhur kontrata të kundërligjshme me këto televizione lokale, me ç’rast Komunës së Prizrenit i kanë shkaktuar dëm prej mbi 22 mijë euro, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Janë marrë dëshmitë e dëshmitarëve Muamer Fusha- pronar dhe drejtor i TV Besa, Granit Shosha- punëtor i TV Opinion dhe Sali Bytyqi, menaxher në TV Prizren.
Pronari dhe drejtori i TV “Besa”, Muamer Fusha, ka deklaruar se televizioni i tij bashkëpunon me Komunën e Prizrenit që nga viti 2005.
Sipas tij, çmimet kanë qenë të një niveli të njëjtë gjatë të gjithë kohës, përfshirë këtu edhe periudhën 2015-16, kohë kjo që është edhe objekt i aktakuzës.
Ai ka deklaruar se kanë nënshkruar kontratë me Drejtorinë e Financave, për periudhë njëvjeçare dhe se pagesa mujore, sipas kontratës ka qenë përafërsisht 300 euro në muaj dhe 3600 euro në vit.
Duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit Mehdi Sefa, Fusha ka thënë se për lidhjen e kësaj kontrate, nuk i është nënshtruar procedurave të tenderit në zyrën e prokurimit publik në Komunën e Prizrenit.
Kurse, punëtori i TV “Opinion’, Granit Shosha, ka deklaruar se nuk ka njohuri për kontratat e nënshkruara nga ky medium dhe Komunës së Prizrenit.
Ndërsa, menaxheri në TV “Prizreni”, Sali Bytyqi, ka deklaruar se në periudhën 2015-16, menaxher i këtij televizioni, ishte babai i tij, duke shtuar se edhe kontratat gjatë kësaj kohe kanë qenë të nënshkruar nga ai.
Ai ka shtuar se pasi që nuk ka qenë nënshkrues, ai nuk ka njohuri në lidhje me kushtet e kontratës.
Ky dëshmitar ka thënë se e din se kontrata kishte një vlerë të pagesës nga Komuna e Prizrenit prej 300 euro në muaj dhe 3600 euro në vit.
Gjatë kësaj seance, prokurori Sefa ka propozuar që të administrohet si provë ekspertiza e ekspertit financiar Agim Shaqiri, e kryer më 26 shkurt 2020.
Por, mbrojtja e të akuzuarve e ka kundërshtuar propozimin e prokurorit, sepse sipas tyre një ekspertizë e përgjithshme ishte kryer nga i njëjti person, e cila nuk ishte pranuar si provë nga gjykata dhe se përmbajtja e ekspertizës së re, sipas mbrojtjes, është e njëjtë me atë të kaluar.
Gjykata me aktvendim e ka aprovuar kërkesën e prokurorit, por me kërkesë të mbrojtjes seanca është shtyrë për një ditë tjetër, pasi që nuk ka qenë i pranishëm eksperti që e ka përpiluar ekspertizën dhe se nga ai nuk janë marr sqarimet e kërkuara.
Më pas, kjo seancë është shtyrë më 2 mars 2020, nga ora 10:00, në të cilën seancë ftesë do t’i bëhet edhe ekspertit Agim Shaqiri.
Prokuroria Themelore në Prizren, më 31 korrik 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Zenel Ahmetaj dhe Ertan Simitqi, të cilët i ngarkon me veprën penale të keqpërdorimit të detyrës apo autoritetit zyrtar.
Sipas aktakuzës, Zenel Ahmetaj akuzohet se gjatë periudhës kohore janar-dhjetor 2015, në cilësinë e ushtruesit të detyrës së drejtorit të Financave në Komunën e Prizrenit, nuk i ka përmbushur detyrat apo autoritetin zyrtar, me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për personat tjerë juridik, TV “Opinion”, TV “Besa”, dhe TV “Prizreni”.
Në aktakuzë thuhet se i akuzuari Ahmetaj, duke mos e përmbushur detyrën e përcaktuar me ligj, pa ndonjë procedurë të tenderimit në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik, Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike, si dhe Rregulloren e Thesarit, kishte lidhur kontrata për emetimin e spoteve reklamuese për nevojat e Drejtorisë së Financave të Komunës Prizrenit.
Sipas aktakuzës, Ahmetaj gjatë periudhës kohore 25 janar 2015, e deri më 31 dhjetor 2015, kishte lidhur kontratë me TV “Opinionin”, në vlerë prej 300 euro në muaj, dhe se për 12 muaj ka paguar 3600 euro, ndërsa në periudhën 20 janar 2015, deri me 31 dhjetor 2015, me TV “Besa”, kishte lidhur kontratë prej 300 euro në muaj, që për 12 muaj arrin shumën 3600 euro, si dhe për të njëjtën periudhë dhe me shumë të njëjtë, kishte lidhur kontratë edhe me TV “Prizrenin”, ku për të tre televizionet arrin shuma prej 11.800 euro në vit.
Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i detyrës zyrtare apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, paragrafi 1, lidhur me paragrafin 2, nënparagrafin 2.2 të KPRK-së.
Ndërsa, sipas aktakuzës, Ertan Simitqiu, akuzohet se gjatë periudhës kohore janar-dhjetor 2016, në cilësinë e drejtorit të Financave në Komunën e Prizrenit, nuk i ka përmbushur detyrat apo autoritetin zyrtar, me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për personat tjerë juridik, TV “Opinion”, TV “Besa”, dhe TV “Prizreni”.
Në aktakuzë thuhet se i akuzuari Simitqi, duke mos e përmbushur detyrën e përcaktuar me ligj, pa ndonjë procedurë të tenderimit në mënyrë të kundërligjshme kishte lidhur kontrata për emetimin e spoteve reklamuese lidhur me sensibilizimin e opinionit publik rreth pagesave të tatimit në pronë në Komunën Prizrenit.
Në aktakuzë thuhet se Simitqi gjatë periudhës kohore 1 janar 2016 e deri me 31 dhjetor 2016 kishte lidhur kontratë me TV “Opinionin”, në vlerë prej 300 euro në muaj, dhe se për 12 muaj ka paguar 3600 euro, ndërsa në periudhën e njëjtë, kishte lidhur kontratat edhe me TV “Besa” dhe TV “Prizreni”, ku për të tre televizionet arrinte shuma prej 11.800 euro në vit.
Me këto veprime, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, paragrafi 1, lidhur me paragrafin 2, nënparagrafin 2.2 të KPRK-së.
Ndryshe, më 25 maj të vitit 2018, ish-drejtori i Administratës në Komunën e Prizrenit, Ilir Baldedaj, ishte dënuar me gjashtë muaj burgim me kusht, pasi ishte shpallur fajtor për keqpërdorim të pozitës zyrtare.
Ai akuzohej se gjatë periudhës gusht 2015 – dhjetor 2016, duke vepruar në cilësinë e drejtorit të Administratës Komunale të Prizrenit, ka lidhur kontrata në mënyrë të paligjshme me tri televizione lokale për të reklamuar shërbimet komunale. /BetimipërDrejtësi