25-11-2024

Prizren: Përfundon rigjykimi ndaj policëve që akuzohen se liruan veturën e pazhdoganuar

Sot, në Gjykatën Themelore në Prizren, janë dhënë fjalët përfundimtare në rigjykimin ndaj policëve që akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare, Flurim Tafolli dhe Rexhep Krasniqi.

Prokurorja Ervehe Gashi, gjatë elaborimit të fjalës përfundimtare, ka kërkuar që dy të akuzuarit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në anën tjetër, mbrojtësi i të akuzuarit Flurim Tafolli, avokati Arben Ramadani, ka deklaruar se qëndron pranë fjalës përfundimtare të dhënë në shqyrtimin e kaluar si dhe në elaborimin e saj, në seancën e mbajtur më 1 prill 2019.

Ai ka thënë se në veprimet e të akuzuarve nuk janë formuar elementet e veprës penale, duke kërkuar që të merret aktgjykim lirues.

“Gjatë seancave gjyqësore, pas analizimit të të gjitha provave dhe pas dëgjimit të dëshmitarit të fundit, eprorit të stacionit policor, Sabit Kabashi, nuk është provuar se i akuzuari Flurim Tafolli, ka kryer veprën penale. I mbrojturi im në ditën kritike i ka ndërmarrë të gjitha veprimet e duhura që kanë të bëjnë me detyrat e tij zyrtare, në të cilën e ka bërë fotografimin nga vendi i ngjarjes. Në përshkrimin e aktakuzës, mungojnë elementet e veprës penale pasi që në aktakuzë nuk e kemi as të vetmen provë që do t’i bënte përgjegjës ata”, ka thënë avokati Ramadani.

Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit Rexhep Krasniqi, avokati Asman Hoxha fjalën përfundimtare e ka dorëzuar në formë të shkruar, me anë të së cilës ka thënë se kërkon të jepet përsëri aktgjykim lirues, sepse sipas tij, akuza si e tillë është e paqartë dhe e pabazuar.

Pas dëgjimit të palëve, gjykatësja Ajser Skenderi, e ka shpallur të përfunduar shqyrtimin gjyqësor, duke njoftuar se aktgjykimi për këtë rast do të shpallet më 5 mars 2020, në ora 09:30.

Gjykata Themelore në Prizren, më 3 prill 2019, Flurim Tafollin dhe Rexhep Krasniqin i kishte liruar nga akuza, në mungesë të provave.

Ndërsa, pas ankesës së Prokurorisë Themelore në Prizren, më 20 gusht 2019, Gjykata e Apelit e ka kthyer lëndën në rigjykim.

Në aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Prizren, e ngritur më 26 shkurt 2018, me të cilën të pandehurit Flurim Tafolli dhe Rexhep Krasniqi akuzohen se duke vepruar në cilësinë e zyrtarëve policorë më 12 shtator 2017, kanë liruar një veturë të vet aksidentuar,  megjithëse e njëjta ka rezultuar e pazhdoganuar.

Sipas aktakuzës, në automjetin e liruar nga të pandehurit kanë qenë të vendosura tabelat e regjistrimit të një automjeti tjetër, andaj sipas organit të akuzës, ata është dashur ta dërgojnë automjetin në terminal doganor, e jo ta lirojnë. /Betimipërdrejtësi

Asnjë koment

Comments are closed.