24-11-2024

Prizren, përleshen në vendin e punës drejtori dhe nëpunësi

Xhihanmert Kaqamaku nga Prizreni ka raportuar në KALLXO.com se është goditur dhe lënduar nga drejtori Lulzim Paçarizi, menaxher i Departamentit teknik.

Xhihanmert Kaqamaku, kryesues i Zyrës së Prokurimit Publik, raportoi se rasti ka ndodhur rreth orës 10:00.

I njëjti thotë se pasi që është takuar me drejtorin Lulzim Paçarizi në korridorin e ndërmarrjes, ende pa filluar mirë biseda është goditur nga drejtori pa asnjë paralajmërim, duke mos qenë në dijeni se për çfarë bëhet fjalë.

I njëjti thotë se pas momentit kur është goditur nuk mban mend asgjë, vetëm e di që është dërguar në Emergjencë ku ka marrë ndihmën për lëndimet që i ka pësuar në sy dhe në nofull.

Ndërsa më pastaj edhe është dërguar në Polici në stacionin “Alfa” Prizren, për të hapur rastin dhe për t’u intervistuar lidhur me rastin.

Lidhur me rastin, zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Prizrenit, Vesel Gashi, për KALLXO.com deklaroi se Policia ka ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore të parapara sipas procedurës. “Rasti është hapur si lëndim i lehtë trupor”, tha Gashi.

Gjithashtu zëdhënësi i Policisë theksoi se në konsultim me prokurorin e çështjes rasti ka vazhduar në procedurë të rregullt, por që të dy të dyshuarit si fillim po konsiderohen të pandehur pasi që ka qenë një përleshje dhe konflikt i momentit.

“Rasti ka vazhduar në procedurë të rregullt pasi që të pandehurit kanë deklaruar që ka qenë konflikt i momentit dhe nuk do të përsëritet më”, theksoi Vesel Gashi.

Asnjë koment

Comments are closed.