Sot është përuruar shtegu i çiklizmit malor në gjatësi 7.2 km nga kthesa e Cvilenit deri tek Kalaja e Prizrenit.
Dhjetëra pasionantë të çiklizmit nga Prizreni, Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka dhe drejtoresha e Turizmit, Sevil Kazaz, ishin të pranishëm në hapjen e këtij shtegu për këtë sport ekstrem. Kryetari Haskuka, tha se ndjehemi të lumtur që po e përurojmë këtë produkt të ri turistik në Prizren për pasionantët e çiklizmit malor.
Drejtoresha e Turizmit, Sevil Kazaz, tha se kostoja e projektit në fjalë kap shumën e 6 mijë eurove duke falënderuar edhe çiklistët prizrenas të cilët dhanë kontribut të madh në rregullimin sa më të mirë të shtegut dhe ftesën që i kanë bërë dhjetëra pasionantëve të këtij sporti nga Kosova dhe rajoni.
Këtij shtegu i është gëzuar pa masë, Rifat Bytyçi, nga ekipi “ Tadat” nga Prizreni. I kënaqur me praninë e tij në këtë ngjarje të veçantë bashkë me shokët tjerë nga Tirana, ishte edhe Rrahim Meçka, i cili tha se investimet e këtilla mundësojnë masovizimin e këtij sporti interesant në radhë të parë për gjeneratat e reja.
Të gjithë pjesëmarrësit e kësaj ngjarje, më pas u lëshuan me çikletat e tyre në këtë shteg të ri nga kthesa e Cvilenit deri tek Kalaja e Prizrenit./tvpz