Prizren: Policia deklarohet për aksionin e madh, po zhvillohet plani operativ i sigurisë ‘Zona Verore 2025’
Policia e Kosovës e ka konfirmuar se një aksion i madh po zhvillohet në qytetin e Prizrenit, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në këtë qytet.
Klankosova.tv ka raportuar ekskluzivisht për këtë operacion, i cili po zhvillohet në disa lagje të mëdha të qytetit, përfshirë edhe lagjen “Ortakoll”.
Nga Policia e Kosovës për Klankosova.tv kanë deklaruar se operacioni bëhet në kuadër të planit operativ “Zona Verore 2025”.
“Ka angazhime shtesë të policisë për ofruar siguri për të gjithë qytetarët, kjo në kuadër të planit operativ të sigurisë ‘Zona Verore 2025’”, thanë nga Policia e Kosovës për Klankosova.tv.
Sipas raportimeve në aksion po marrin pjesë rreth 100 policë. Ende nuk dihet se a ka persona të arrestuar në kuadër të këtij operacioni.
Një aksion i ngjashëm policor është zhvilluar në këtë qytet edhe javën e kaluar, pikërisht mbrëmjen e së shtunës (14 qershor), ku u kontrolluan disa lokale dhe u arrestuan pesë persona, ndërsa u sekuestruan edhe armë e mjete të ftohta. Të dyshuarve iu gjetën mjete të mprehta (thika) në brez, ndërsa një personi tjetër i ishte gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri.