06-11-2025

Prizren: Policia parandalon garat e shpejtësisë, 6 drejtues gjobiten me nga 150 euro 

Menjëhere pas njoftimit për një grumbullim të dyshimtë të automjeteve në parkingun e një pike karburanti në dalje të autostradës Prizren-Veri, Policia e Kosovës ka ndërmarrë masa të menjëhershme për të parandaluar organizimin e garave ilegale të shpejtësisë.

Njoftimi është pranuar mbrëmjen e djeshme rreth orës 21:50.

Policia përmes një komunikate për media ka njoftuar se janë shoqëruar në Stacion Policor 6 drejtues automjetesh, të cilët edhe janë gjobitur më pas.

“Njësia Rajonale e Komunikacionit Rrugor (NJRKRR) ka ndërhyrë me shpejtësi në vendngjarje dhe ka ndërmarrë këto veprime:

Janë shoqëruar 6 drejtues automjetesh së bashku me veturat e tyre në Stacionin Policor.

Secilit prej tyre i është shqiptuar një gjobë prej 150 eurosh dhe ndalim i drejtimit të mjetit për një periudhë prej 1 muaji, për shkak të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor.

Patrullat e autostradës dhe të Stacionit Policor Prizren Veri kanë vazhduar patrullimin në zonë për të parandaluar çdo tentim të organizimit të garave dhe për të garantuar sigurinë në komunikacion”, njofton policia.

Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, duke reaguar me efikasitet ndaj çdo veprimtarie që rrezikon jetën e qytetarëve dhe sigurinë rrugore, thuhet tutje në njoftim.

Asnjë koment

Comments are closed.