Prizren: Pranon fajësinë ish-inspektori i ndërtimit, i akuzuar për korrupsion
Në seancën e së mërkurës në Gjykatën Themelore në Prizren, ish- inspektori i ndërtimit, Nexhmedin Musliu e ka pranuar fajësinë për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Musliu po akuzohet se nuk ka ndërmarrë veprime për rrënimin e ndërtimeve pa leje të investitorëve Ruzhdi Fandaj dhe Tahir Haziraj, duke iu mundësuar që në mënyrë të pakontrolluar të vazhdojnë ndërtimet e katit të tretë dhe të katërt të shtëpisë individuale, raporton “Betimi për Drejtësi”.
I akuzuari Musliu, tha se pranon fajësinë për veprën penale për të cilën akuzohet dhe se ndjehet i penduar për veprimet e tij.
Paraprakisht, në fillim të seancës, mbrojtësja e të akuzuarit Musliu, avokatja Valbonë Morina ka thënë se i mbrojturi i saj dëshiron të deklarohet lidhur me pranimin e fajësisë, pasi që sipas saj këtë të drejtë e ka deri në fund të procedurës gjyqësore.
Ndërsa, i akuzuari Musliu ka thënë se pajtohet me mbrojtësen e tij dhe se është i vetëdijshëm për pasojat e pranimit të fajësisë.
Prokurorja Ervehe Gashi, nuk e ka kundërshtuar pranimin e fajësisë nga Musliu dhe ka shtuar se pranimi i fajësisë është bërë në pajtim me dispozitat e Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Përfaqësuesi i autorizuar i Komunës së Prizrenit, Behar Bytyqi ka thënë se e mbështet deklarimin e prokurores Gashi.
Kurse, kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Teuta Krusha ka njoftuar të akuzuarin Musliu se me rastin e pranimit të fajësisë do të merren parasysh rrethanat lehtësuese gjatë marrjes së vendimit mbi lartësinë e dënimit.
Po ashtu, ajo shtoi se i pandehuri me këtë rast nuk ka të drejtë ankese ndaj aktgjykimit për shkak të gjendjen së vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike.
Tutje, gjykatësja Krusha tha se pranimi i fajësisë është bërë konform dispozitave ligjore dhe se gjykata e pranon pranimin e fajësisë nga i akuzuari Musliu.
Seanca ka vazhduar me fjalën përfundimtare të palëve, ku prokurorja Gashi në fjalën përfundimtare ka propozuar që i akuzuari të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit dhe të njëjtit t’i shqiptojë dënimin plotësues, ndalim i ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik.
Përfaqësuesi i autorizuar i Komunës së Prizrenit, Bytyqi ka thënë se mbështet fjalën përfundimtare të prokurores Gashi dhe se do të parashtrojnë kërkesë pasurore-juridike nëse i akuzuari shpallet fajtor.
Avokatja Morina, në fjalën e saj përfundimtare ka thënë se i mbrojturi i saj me pranimin e fajësisë ka bërë ekonomizimin e procedurës së gjykatës, e që kjo të merret si rrethanë lehtësuese dhe të shqiptojë një dënim sa më të butë.
I akuzuari Musliu, ka deklaruar se qëndron në tërësi pranë fjalës përfundimtare të mbrojtëses së tij dhe ka kërkuar nga gjykata t’i shqiptojë dënim sa më të butë, duke premtuar se në të ardhmen nuk do të përsërisë veprime të tilla.
Shpallja e aktgjykimit për këtë rast do të bëhet më 15 shtator 2022.
Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prizren, të përpiluar më 14 janar 2020, Nexhmedin Musliu po akuzohet se prej nëntorit 2014 e deri në maj 2016, si inspektor i ndërtimit nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare të përcaktuara me ligj.
Sipas aktit akuzues, Musliu ka qenë përgjegjës për inspektimin e ndërtimeve në rrugën “Muhaxherët” – zona e “Qylhanit”, në Prizren, por i njëjti nuk ka ndërmarrë veprime për rrënimin e ndërtimit pa leje të bërë në kundërshtim me Ligjin për Ndërtim, Planin Zhvillimor Urban të komunës dhe lejeve të ndërtimit të Drejtorisë së Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor të Komunës së Prizrenit.
Tutje, në aktakuzë thuhet se investitorëve Ruzhdi Fandaj dhe Tahir Haziraj u kanë mundësuar që në mënyrë të pakontrolluar të vazhdojnë ndërtimet e katit të tretë dhe të katërt të shtëpisë individuale, duke bërë konstatimin formal të gjendjes faktike në procesverbale.
I pandehuri Musliu, sipas aktakuzës, asnjëherë nuk e ka zbatuar masën e rrënimit edhe pse ka qenë i obliguar për një gjë të tillë, duke i sjellë përfitim investitorëve, ku ka dëmtuar infrastrukturën e qytetit në zonën e ndërtimit në “Qylhan”, të Prizrenit.
Ndryshe, Nexhmedin Musliu është i akuzuar edhe në disa raste të tjera, që lidhen me veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare. /BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.