Prizren: Prishja e koalicionit qeverisës, Shaqir Totaj sot mban konferencë shtypi
Sot, në orën 10:00, Kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, mban konferencë për media, në “Shtëpinë e Bardhë” në Prizren.
Siç ka paralajmëruar, Totaj sot do të deklarohet pas prishjes të koalicionit qeverisës nga ana e AAK-së, duke dhënë më shumë detaje, raporton “Gazeta e Prizrenit”.
AAK e Totaj mbrëmë dolën me versione të ndryshme për prishjen e koalicionit.
Në këtë kontekst ka pasur edhe përkeqësim të gjuhës nga AAK ndaj Kryetarit, duke e quajtur për keqardhje deklaratën e Totajt pas prishjes së koalicionit.
Derisa Totaj për Insajderin tha se njëra nga arsyet kryesore të këtij vendimi është kërkesa e tij për ndërrimin e drejtoreshës së shëndetësisë, pozitë të cilën e mbante Burbuqe Krasniqi, motra e kryetarit të degës së AAK’së, Besnik Krasniqit, nga AAK njoftuan se ky vendim ka ardhur si pasojë e veprimeve të Shaqir Totajt, të cilat i ka bërë pa u konsultuar me ta.
AAK ka prezantuar dy shkresa zyrtare, të cilat ia kishin bërë Totajt për zëvenësimin e dy drejtoreshave të tyre. “Shaq dashurinë ndaj vetes mbaje,por publikun mos e gënje. Shpifjet nuk jan parime” thuhej në reagimin e degës së AAK- së në Prizren.
Pos kësaj, nga burimet jozyrtare mësohet se dje pasdite, për mungesë performance, Totaj e ka shkarkuar edhe drejtoreshën për Turizëm dhe Zhvillim Ekonomik, Lirije Xhemaj-Bytyqi nga NISMA, por kjo nuk është bër publike. ”Ka pasur përpjekje të saj për të biseduar me njerëz të kabinetit të Totajt, prandaj nuk dihet se çfarë ka ndodhur tutje”, tha për “Gazetën e Prizrenit” një burim me kusht anonimiteti.
Ndryshe AAK kishte tri drejtori në qeverisjen komunale të Totajt, aq sa ka edhe partneri tjetër NISMA.
Vitin e kaluar, Totajt i kishte dështuar tentimi për prishjen e koalicionit me “Nismën”, që përkundër dy asamblistëve, mban tri drejtori komunale. Në këtë kontekst doli në shesh edhe mosmarrëveshja me partnerin e koalicionit, Zafir Berishën, me të cilin për shkak të sharjes e kërcënimit çështja përfundoi në gjyq./Gazeta e Prizrenit