27-11-2024

Prizren: Prokuroria kërkon dënimin, ndërsa mbrojtja lirimin e zyrtarëve të komunal Ahmetaj e Simitqi

Të enjten, në Gjykatën Themelore në Prizren, janë dhënë fjalët përfundimtar ndaj Zenel Ahmetaj dhe Ertan Simitqi, të akuzuar për korrupsion në kohën sa ishin drejtorë të Drejtorisë së Financave në Komunën e Prizrenit.

Në fjalën e tij përfundimtare prokurori Mehdi Sefa, deklaroi se duke u bazuar në ekspertizën financiare, së pari bën precizimin e dispozitivit të aktakuzës për të dy të akuzuarit, duke e ndryshuar shumën e pagesave të kryera me  autorizimet që kanë dhënë të dy të akuzuarit, nga 11.800 euro në shumen prej 17.700 euro, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Tutje prokurori Sefa, deklaroi se  mbetet në tërësi pranë aktakuzës dhe se e njëjta është vërtetuar nga provat e paraqitura gjatë këtij procesi gjyqësor.

Sipas prokurorit gjendja faktike e përshkruar si në dispozitiv të aktakuzës është vërtetuar plotësisht edhe me ekspertizën financiare, sipas së cilës ekspertizë është vërtetuar se të akuzuarit kanë lidhur kontrata jo ligjore.

Në fund prokurori Sefa, kërkoi nga trupi gjykues që të akuzuarit t’i shpall fajtorë dhe t’i dënoi sipas ligjit.

Mbrojtësja e të akuzuarit Zenel Ahmetaj, avokatja Sahare Muçaj-Nevzati deklaroi se fjalën përfundimtare trupit gjykues dhe prokurorit të shtetit ia dorëzon në formë të shkruar.

Ndërsa në elaborimin e fjalës përfundimtare avokatja Muçaj-Nevzati deklaroi se gjatë shqyrtimit gjyqësorë me provat e administruara nuk është vërtetuar gjendja faktike e përshkruar si në aktakuzë.

Tutje avokatja shtoi se ka qenë vendim i Kryetarit të atëhershëm të Komunës së Prizrenit, që të nënshkruhen kontrata me televizionet lokale dhe se veprimi i klientit të saj ka qenë në suaza të vendimit të Kryetarit të Komunës.

Sipas avokates, me veprimit e tij i akuzuari Ahmetaj, nuk ka pasur dashje që personit tjetër t’i sjellë dobi pasurore, por ka pasur qëllim që të sensibilizojë opinionin publik.

Në fund avokatja deklaroi se i propozon trupit gjykues që klientin e saj ta liron nga akuza.

I akuzuari Zenel Ahmetaj në fjalën e tij përfundimtare deklaroi se pajtohet me fjalën përfundimtare të mbrojtëses dhe shton se nuk e ka keqpërdor kurrfarë detyre apo kurrfarë shume në pozitën e ushtruesit të detyrës së Drejtorit për Ekonomi dhe Financa, si dhe nuk ka pasur  kurrfarë përfitimi në emër të operatorëve ekonomik, pasi që ka zbatuar vendimin e kryetarit të komunës për lidhjen e këtyre kontratave me 3 televizionet lokale, të cilat kanë pasur qëllim senzibilizimin e opinionit publik për pagesën e tatimit në pronë, andaj i propozoi gjykatës që ta lirojë nga akuza.

Mbrojtësi i të akuzuarit Ertan Simitqi avokati Durim Nevzati, deklaroi se fjalën përfundimtare trupit gjykues dhe prokurorit të shtetit ia dorëzon në formë të shkruar dhe  meqenëse edhe i akuzuari është i njoftuar me këtë fjalë përfundimtare nuk do ta elaboroj ashtu që në fund i propozon gjykatës që ndaj të akuzuarit Ertan të nxjerr aktgjykim lirues.

Fjalën e mbrojtësit të tij e mbështeti edhe i akuzuari Ertan Simitqi, i cili po ashtu, kërkoi që të lirohet nga akuza.

Pas dhënies së fjalëve përfundimtare, kryetarja e trupit gjykues Ajser Skenderi, deklaroi se shpallja e aktgjykimit do të bëhet me 18.01.2021 në ora 13:30.

Ndryshe Prokuroria Themelore në Prizren, më 31 korrik 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Zenel Ahmetaj dhe Ertan Simitqi, të cilët i ngarkon me veprën penale të keqpërdorimit të detyrës apo autoritetit zyrtar.

Sipas aktakuzës, Zenel Ahmetaj akuzohet se gjatë periudhës kohore janar-dhjetor 2015, në cilësinë e ushtruesit të detyrës së drejtorit të Financave në Komunën e Prizrenit, nuk i ka përmbushur detyrat apo autoritetin zyrtar, me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për personat tjerë juridik, TV “Opinion”, TV “Besa” dhe TV “Prizreni”.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari Ahmetaj, duke mos e përmbushur detyrën e përcaktuar me ligj, pa ndonjë procedurë të tenderimit në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik, Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike, si dhe Rregulloren e Thesarit, kishte lidhur kontrata për emetimin e spoteve reklamuese për nevojat e Drejtorisë së Financave të Komunës  Prizrenit.

Sipas aktakuzës, Ahmetaj gjatë periudhës kohore 25 janar 2015, e deri më 31 dhjetor 2015, kishte lidhur kontratë me TV “Opinionin”, në vlerë prej 300 euro në muaj dhe se për 12 muaj ka paguar 3600 euro, ndërsa në periudhën 20 janar 2015, deri me 31 dhjetor 2015, me TV “Besa”, kishte lidhur kontratë prej 300 euro në muaj, që për 12 muaj arrin shumën 3600 euro, si dhe për të njëjtën periudhë dhe me shumë të njëjtë, kishte lidhur kontratë edhe me TV “Prizrenin”, ku për të tre televizionet arrin shuma prej 11.800 euro në vit.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i detyrës zyrtare apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, paragrafi 1, lidhur me paragrafin 2, nënparagrafin 2.2 të KPRK-së.

Ndërsa, sipas aktakuzës, Ertan Simitqiu, akuzohet se gjatë periudhës kohore janar-dhjetor 2016, në cilësinë e drejtorit të Financave në Komunën e Prizrenit, nuk i ka përmbushur detyrat apo autoritetin zyrtar, me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për personat tjerë juridik, TV “Opinion”, TV “Besa” dhe TV “Prizreni”.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari Simitqi, duke mos e përmbushur detyrën e përcaktuar me ligj, pa ndonjë procedurë të tenderimit në mënyrë të kundërligjshme kishte lidhur kontrata për emetimin e spoteve reklamuese lidhur me sensibilizimin e opinionit publik rreth pagesave të tatimit në pronë në Komunën  Prizrenit.

Në aktakuzë thuhet se Simitqi gjatë periudhës kohore 1 janar 2016 e deri me 31 dhjetor 2016 kishte lidhur kontratë me TV “Opinionin”, në vlerë prej 300 euro në muaj dhe se për 12 muaj ka paguar 3600 euro, ndërsa në periudhën e njëjtë, kishte lidhur kontratat edhe me TV “Besa” dhe TV “Prizreni”, ku për të tre televizionet arrinte shuma prej 11.800 euro në vit.

Me këto veprime, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, paragrafi 1, lidhur me paragrafin 2, nënparagrafin 2.2 të KPRK-së.

Ndryshe, më 25 maj të vitit 2018, ish-drejtori i Administratës në Komunën e Prizrenit, Ilir Baldedaj, ishte dënuar me gjashtë muaj burgim me kusht, pasi ishte shpallur fajtor për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Ai akuzohej se gjatë periudhës gusht 2015 – dhjetor 2016, duke vepruar në cilësinë e drejtorit të Administratës Komunale të Prizrenit, ka lidhur kontrata në mënyrë të paligjshme me tri televizione lokale për të reklamuar shërbimet komunale. /BetimipërDrejtësi

Asnjë koment

Comments are closed.