23-11-2024

Prizren: Protestë para gjykatës, kërkohet dënimi i të akuzuarit për krime lufte në Krushë të Vogël

Sot në Gjykatën Themelore në Prizren, pritet të mbahet fjala përfundimtare në rastin e të akuzuarit për krime lufte, Darko Tasiq, i akuzuar nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), se gjatë kohës së luftës në Kosovë, ka kryer krime lufte kundër popullatës civile të fshatit Krushë e Vogël.

Në shenjë revolte, disa banorë nga Krusha e Vogël kanë filluar protestë  para Gjykatës në Prizren, duke kërkuar dënimin e të akuzuarit.

Protestuesit, në mesin e të cilëve ka gra po mbajnë disa foto të familjarëve të zhdukur dhe pankarta, në të cilat është shkruar  “Ku janë bijtë tanë?”, “113 të vrarë, 145 fëmijë jetim, 68 ende të zhdukur”, “Duam drejtësi”.

Mbështetur në aktakuzë, Tasiq akuzohet se fillimisht gjatë periudhës 15 – 26 mars 1999, ka marrë pjesë së bashku me forcat policore dhe para ushtarake serbe, për të plaçkitur dhe shkatërruar pasuritë e popullsisë civile, duke djegur shtëpi, duke marrë automjetet bujqësore dhe sendet tjera me vlerë të të fshatarëve në përgjithësi dhe familjes Hajdari në veçanti.

Tasiq, i cili deri në vitin 1999 bashkë me familjen e tij kishte jetuar në Krushë të Vogël, sipas aktakuzës së PSRK-së ngarkohet edhe me përdhosjen e trupave të pajetë, duke i djegur kufomat së bashku me forcat tjera policore dhe paramilitare dhe duke i hedhur kufomat në lumin Drin, në një vend jashtë fshatit Krushë e Vogël.

Krusha e Vogël, rreth 10 kilometra larg Prizrenit gjatë luftës pësoi dëme të mëdha. Krahasuar me numrin e banorëve,  ky është vendi më i dëmtuar në Kosovë. Përpos djegies së objekteve të banimit, forcat serbe në fund të marsit 1999 vranë 113 civil shqiptarë. Prej tyre 45 janë identifikuar dhe varrosur, ndërsa 68 konsiderohen të zhdukur. Fshati ka edhe një dëshmor të luftës, ndërsa si pasojë e minave, pas luftës ka vdekur edhe një person. /GazetaePrizrenit.net

Asnjë koment

Comments are closed.