24-11-2024

Prizren: Pushteti dhe opozita, deklarime të kundërta rreth përgatitjeve për dimër

Derisa zyrtarë të Komunës së Prizreni thonë se janë bërë përgatitjet e nevojshme për mirëmbajtjen e rrugëve, ata të opozitës, theksojnë se shkaku i mosnënshkrimit të një kontrate vështirë se do të ketë pastrim të borës për fshatrat e Vrrinit, Lumës dhe ato të Zhupës, shkruan “GazetaePrizrenit.net”.

Zyrtari për marrëdhënie me publikun në Komunën e Prizrenit, Lis Dorambari ka thënë se në kontekstin e përgatitjeve janë siguruar rreth 800 tonë kripë industriale për të dalë në pranverë, ndërsa janë kontraktuar dy kompani për mirëmbajte të cilat do të pastrojnë dhe mirëmbajnë rrugët.

Referuar të dhënave, del se në listën e mirëmbajtjes dimërore nga kompanitë përkatëse janë mbi 76 kilometra rrugë në qytet dhe rreth 209 të tjera që lidhen me fshatrat.

Në anën tjetër, opozita në Prizren ka kritikuar pushtetin aktual për siç ka thënë vetëm kontraktimin e dy pozicioneve , lot 1 dhe 2, por mbetjen pa shpjegim në procedura tenderuese të lot 3, shkruan “GazetaePrizrenit.net”.

Kryetari i PDK-së në Prizren, Shaqir Totaj ka thënë se si pasojë e mosnënshkrimit të kësaj kontrate  (lot 3), gjatë sezonit të dimrit nuk do të ketë pastrim të borës për fshatrat e Vrrinit, Lumës dhe fshatrave të Zhupës.

“Dyshohet, jo pa arsye, se për njërin pozicion, lot 1, kontrata është nënshkruar me operatorin i cili maunet i kishte me targa të një shteti tjetër dhe rrjedhimisht mund të ketë problem serioze në kryerjen e punëve”, ka thënë ai. / GazetaePrizrenit.net /

Asnjë koment

Comments are closed.