Prizren: Qamil Kronin e largojnë nga pozita shkaku i hetimeve për dyshimet se ndryshoi një gjobë
Qamil Kroni, Komandant i Stacionit Policor të Prizrenit, me gradën major, tash e tutje nuk do të jetë më në këtë pozitë. Kjo për shkak të procedurës disiplinore që është duke u zhvilluar ndaj tij, pasi që i njëjti dyshohet se bashkë me komandantin e nënstacionit policor të Zhurit, Ziber Susurin, kanë ndërhyrë pa autorizim në një gjobë për kundërvajtje në trafik, shkruan Gazeta Sinjali.
Kështu kanë bërë të ditur burimet e Sinjalit, të cilat kanë njoftuar se Kroni tashmë është caktuar Shef i resurseve të burimeve njerëzore në rajonin e Prizrenit.
Kroni dhe Susuri ishin suspenduar në prill të këtij viti, me rekomandim të Inspektoratit Policor të Kosovës, për shkak të dyshimit se kanë kryer veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Ushtrim ndikimi”.
Por më 9 gusht atyre u është ndërprerë suspendimi i parakohshëm dhe që të dy u rikthyen në punë, shkruan Sinjali.
Dy eprorët policorë dyshohen se kanë ndërhyrë pa autorizim në një gjobë për kundërvajtje në trafik, duke ndryshuar nenin dhe paragrafin, e më pas edhe gjobën.
Gjatë ndërhyrjes së paautorizuar, të njëjtit dyshohen se ia kanë larguar edhe pikët negative të shqiptuara, si dhe kanë revokuar ndalesa për vozitje dhe konfiskimin e patentë shoferit.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.