Prizren: Refuzohet kërkesa për hudhje të aktakuzës për korrupsion ndaj ish-inspektorit të ndërtimit
Gjykata Themelore në Prizren, sot e ka refuzuar kërkesën e ish-inspektorit të ndërtimit në Prizren, Nexhmedin Musliu për hudhjen e aktakuzës që e ngarkon atë me veprën penale të keqpërdorim të pozitës zyrtare
Vendimi i mor pas kërkesës së mbrojtësve të të akuzuarit për hudhje të aktakuzës në njërën anë dhe kërkesës për vazhdim të gjykimin nga ana e prokurorisë në anën tjetër.
Mbrojtësi i të akuzuarit Musliu, avokati Gent Gjini ka thënë se aktakuza e prokurorisë është e pa bazuar dhe nuk e plotëson parakushtin kryesor ligjor, dyshimin e bazuar mirë dhe nuk sajohen elementet qenësore si element i dashjes dhe dëmi i shkaktuar.
“Ne duke e ditur se barra e të provuarit dhe prezantimi i fakteve të provave është në anën e prokurorisë, ne do të dëshmojmë se për objektin ndërtimor në lagjen e “Muhaxherëve”, përshkrimi i bërë në dispozitiv të aktakuzës nuk qëndron, sepse inspektori i cili ka pasur për obligim ligjor dhe ka ndërmarrë veprimet paraprake për inspektimin e këtij objekti, ka qenë inspektori Veron Aliu, i cili ka qenë i ngarkuar me shkresën formale nga Drejtoria e Inspektoratit” ka thënë avokati Gjini.
Ai ka kërkuar nga gjykata që pas analizimit të pretendimeve të tyre, aktakuzën e prokurorisë ta hudhë si të pa mbështetur dhe të pa bazuar.
Nga ana tjetër, prokurorja Ervehe Gashi, ka kërkuar që aktakuza të pranohet, me arsyetimin se ka mbështetje në provat që gjenden në shkresat e lëndës dhe se fajësia e të akuzuarit, sipas saj, do të vërtetohet nga dyshimi i bazuar mirë, nga provat që janë propozuar nga ana e prokurorisë.
“Prokuroria mendon se janë plotësuar të gjitha kushtet ligjore e sidomos dyshimi i bazuar mirë. Nga provat që janë bazuar nga ana e prokurorisë, pos që do të provohet dëmi i shkaktuar po ashtu edhe elementi aletrnativ që kërkon kjo vepër penale, shkelja e ligjit” ka thënë prokurorja Gashi.
Ndërsa i akuzuari Nexhmedin Musliu, aktakuzën e prokurorisë e ka cilësuar si tendenciose dhe dashakeqe, ku sipas tij, ngritja e aktakuzave të tilla po ndikojnë edhe në përkeqësimin e shëndetit të tij.
Pas deklarimeve të tyre, gjykatësja Raima Elezi vendosi që të hudhë kërkesën e avokatëve Gent dhe Blend Gjini, për hudhjen e aktakuzës në fjalë, ndërsa si datë rezervë për seancën e shqyrtimit gjyqësor ka lënë datën 30 dhjetor 2019, në ora 09:00.
Në aktakuzën e Prokurorisë Themelore Prizren të ngritur më 25 shtator 2019, i pandehuri Nexhmedin Musliu akuzohet për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.
Ai akuzohet se prej datës 21 nëntor 2016, e në vazhdim në Prizren, në cilësinë e personit zyrtar si inspektor komunal i ndërtimit, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare apo autoritetin zyrtar, nuk i përmbush detyrat zyrtare të tij me qëllim të përfitimit të dobisë për tjetrin.
Në aktakuzë thuhet se i akuzuari nuk e inspekton dhe nuk ndërmerr veprime kundër mbindërtimit pa leje të bërë nga investitori Mehmet Palushi, i cili duke ndërtuar objektin e tij ka tejkaluar lejen për një etazhitet, leje kjo e lëshuar nga Drejtoria për Urbanizëm dhe Planifikim Hapësinor në Komunën e Prizrenit.
Sipas aktakuzës, i akuzuari Musliu, duke mos ndërmarr veprime i ka mundësuar Mehmet Palushit ndërtimin edhe të një kati dhe mos pagesën e taksave komunale, ndërsa Kuvendit Komunal i ka shkaktuar dëm në vlerën e taksave të papaguara dhe ka dëmtuar infrastrukturën e qytetit në zonën e ndërtimit “Qylhan”.
Ish-inspektori Musliu, edhe në dy raste tjera akuzohet për keqpërdorim të pozitës zyrtare./Betimipërdrejtësi