Prizren: Rifillon shqyrtimi kryesor në rastin e inspektorit
Ka rifilluar shqyrtimi kryesor në rastin e inspektorit të ndërtimit në Komunën e Prizrenit, Enver Bytyqi, i cili po akuzohet për korrupsion.
Trupi gjykues, i kryesuar nga gjykatësja Raima Elezi, mori vendim që shqyrtimi gjyqësor për këtë rast të nis prej fillimi, me arsyetimin se kanë kaluar më shumë se tre muaj nga mbajtja e seancës së fundit, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në seancën e së mërkurës, prokurori Mehdi Sefa bëri precizimin e aktakuzës, konkretisht ndryshoi afatin kohor në dispozitiv, nga “2016-2017” në “2011-2017”, kohë kjo kur tha se inspektori Bytyqi ka qenë në inspektim të ndërtesës që është objekt i aktakuzës.
Po ashtu, prokurori Sefa bëri edhe precizimin e rreshtit të katërt të diapozitivit, duke ndryshuar ligjin që e mbështet dispozitivin, ku Ligjin me numër 2004/2015, e zëvendësoi me Ligjin nr.04/L-110 për ndërtimin, i cili është në fuqi.
Ndryshe, në seancën e së mërkurës palët thanë fjalët hyrëse.
Prokurori Mehdi Sefa dhe mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Fatmir Jëlliqi, deklaruan se mbesin në tërësi pranë fjalëve hyrëse të paraqitura herën e parë.
Kurse, i akuzuari Bytyqi tha se kur ai ishte caktuar për inspektimin e objektit të kontestuar, objekti ka qenë në fazën e ndërtimit të përdheses dhe se i njëjti nuk ka pasur leje ndërtimi, por ka pasur kusht ndërtimor të lëshuar nga Drejtoria e Urbanizimit.
I akuzuari po ashtu, deklaroi se ai nuk ka qenë përgjegjës për 13 katet e ndërtesës, siç është e përshkruar në dispozitivin e aktakuzës, mirëpo vetëm deri në katin e tetë, sepse pastaj është suspenduar nga puna.
Lidhur me këtë, kryetarja e trupit gjykues, Raima Elezi kërkoi nga prokurori që të sqarojë dispozitivin e aktakuzës në drejtim të veprimeve ose mosveprimeve të të akuzuarit, duke marrë parasysh se i njëjti akuzohet se nuk ka ndërmarrë veprimet e duhura deri në katin e 13.
Prokurori Sefa kërkoi një afat të arsyeshëm që edhe njëherë të analizoj të gjitha provat nga shkresat e lëndës, për të dhënë sqarim lidhur me dispozitivin e aktakuzës.
Pas kërkesës së prokurorit, trupi gjykues mori vendim që të aprovoj të njëjtën dhe t’i jepet kohë prokurorit për sqarimin e çështjes në fjalë, në afat prej 8 ditësh.
Seanca e radhës u caktua për 22 qershor 2020, në ora 14:00.
Për këtë rast, ishte i akuzuar edhe investitori Feim Hamiti, për veprën penale “heqja apo dëmtimi i vulave zyrtare ose shenjave”, i cili në seancën fillestare kishte pranuar fajësinë dhe ishte dënuar me shtatëmijë euro gjobë.
Prokuroria Themelore Prizren, për këtë rast ka ngritur aktakuzë, më 19 prill 2019, ndaj të pandehurit Enver Bytyqi, duke e ngarkuar atë për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.
Sipas aktakuzës, i akuzuari Bytyqi, gjatë periudhës kohore 2016-2017, në Prizren, në cilësinë e personit zyrtar nuk i përmbush detyrat zyrtare, ashtu që shkel Ligjin për Ndërtimtari, duke mos rrënuar objektin ndërtimor në lagjen “Jeni Mahall”, të investitorit NTSH “Shigjeta e Pashtrikut” me pronar Feim Hamiti, me qëllim që të përfitimit të dobisë për tjetrin.
Në aktakuzë thuhet se i akuzuari vetëm ka kryer punë administrative në hartimin e procesverbalit duke mos sjell konkluzionin për rrënimin e objektit pa leje, kështu ka mundësuar dobi pasurore për investitorin Feim Hamiti. /Betimipërdrejtësi