24-11-2024

Prizren: Rigjykimi për mashtrim me viza pune, jep mbrojtjen edhe i akuzuari i dytë

Në Gjykatën Themelore në Prizren, të hënën ka dhënë mbrojtjen i akuzuari Besim Rexhaj në rigjykimin me mashtrim me viza ku Flamur Hoxha dhe Besim Rexhaj po akuzohen për shmangie nga tatimi dhe shpëlarje parash.

Fillimisht, më datë 11 mars 2022 kishte dhënë mbrojtjen e tij i akuzuari Flamur Hoxha ndërsa sot i akuzuari Besim Rexhaj gjatë dhënies së mbrojtjes së tij deklaroi se qëndron pranë deklarimit të tij të dhënë në gjykatë më 20.12.2019.

Ai shtoi se në Shqipëri në vitin 1993 kishte shkuar me familje ku kanë jetuar dhe punuar deri në vitin 2014 e pastaj janë kthyer në Prizren ku fillimisht kanë jetuar në fshatin Korishë deri në momentin kur kanë blerë banesë në Prizren në vitin 2017.

Lexo edhe:

40 vjet nga themelimi i repartit të urologjisë në Spitalin e Prizrenit

Tutje deklaroi se këtë banesë e kishte blerë nga Flamur Hoxha dhe është paguar me para kesh të cilat para kanë ardhur nga shitja e banesës në Tiranë dhe se të gjitha dokumentet janë të dorëzuara pranë kësaj gjykate.

Për firmën “MNP Personal Leasing” tha se themelues dhe pronar i vetëm i kësaj firme nga fundi i vitit 2015 deri në momentin e arrestimit të tij ka qënë Flamur Hoxha por se kjo firmë nuk ka qenë e regjistruar në ATK deri në dhjetor 2016 e që me propozim të Flamur Hoxhës është regjistruar në emër të Besim Rexhaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Rexhaj shtoi se gjatë tërë kësaj kohe, Flamuri ka vepruar me firmën “ NSH Personal Leasing” ndërsa faturat e pagesave të klientëve i lëshonte me logon “ MNP Personal Leasing” e i vuloste me vulën e “NSH Personal Leasing” dhe se arsyeja që ai të regjistrohet si pronar ka qënë me prapavijë që të mbulojë këtë mashtrim.

Ai tha se fillimisht Flamuri i ka propozuar që ta hap një filial në fshatin Korishë për punësim ndërmjetësim në Gjermani e që përfitimi i Besimit të jetë 500 euro për çdo klient, pagesa këto që pjesës dërrmuese të klientëve ju është kthyer, e po ashtu janë paguar tatimet dhe pagat e 5 punëtorëve që kanë punuar në “ MNP Personal Leasing”.

Ai tha se këto para u janë kthyer klientëve nga Flamur Hoxha ku ai së bashku me punëtoren Elsa Bobaj i kanë tërhequr parat nga banka dhe ju kanë kthyer atyre ngase ai në këtë kohë ka qenë i ndaluar në Shqipëri.

Në fund tha se për pjesën e fitimit të tij që ka pasur për çdo klient të tij me nga 500 euro, nga kjo shumë janë bërë pagesat e punëtorëve, pagesat e tatimit dhe pjesa tjetër ju është kthyer klientëve.

Me aktgjykimin e shpallur nga Gjykata Themelore në Prizren, më 9 janar 2020, ish-drejtori ekzekutiv i shkollës “DBBS” në Prizren, Flamur Hoxha, ishte dënuar me gjashtë vjet burg dhe 21 mijë euro gjobë, pasi ishte shpallur fajtor se ka mashtruar qytetarët për viza pune në Gjermani, ndërsa i akuzuari tjetër, Besim Rexhaj, ishte dënuar me katër vjet burgim dhe me 12 mijë euro gjobë.

Ndaj të akuzuarve ishte shpallur edhe dënim plotësues, ku Flamur Hoxhës i konfiskohej një shtëpi, një veturë “BMW X5”, si dhe një “Audi”, kurse të akuzuarit Rexhaj i konfiskohej një banesë me garazh, si dhe një veturë e tipit “Polo”.

Po ashtu, për këtë rast ishte dënuar me gjashtë muaj burgim me kusht Veprim Rexhepi, i cili akuzohej se me anë të falsifikimit ka nënshkruar rreth 400 kontrata pune për në shtetin e Gjermanisë, pa qenë i autorizuar fare nga personat përgjegjës, në emër të të cilëve janë lëshuar këto kontrata.

Mirëpo, Gjykata e Apelit e ka kthyer rastin në rigjykim vetëm ndaj Flamur Hoxhës dhe Besim Rexhajt, të cilët kishin parashtruar ankesë në Gjykatën e Apelit.

Aktakuza e Prokurorisë Speciale (PSRK) e ngritur më 20 gusht 2018, ngarkon Flamur Hoxhën dhe Besim Rexhajn se në periudhën 2016-2017, megjithëse e kanë ditur se të ardhurat burojnë nga aktivitete kriminale, kanë pranuar para nga qindra persona të dëmtuar, saktësisht 489 persona, me arsyetimin se do t’i punësojnë në Gjermani.

Sipas aktakuzës, Hoxha dhe Rexhaj, nga të dëmtuarit e njëjtë i kanë marrë nga 2 mijë e 500 – 3 mijë euro, të cilët fare nuk i kanë dërguar në Gjermani, duke fshehur fondet në fjalë e më pas të njëjtat fonde duke i transferuar tek persona tjerë, me këto veprime kanë përvetësuar shumën prej 1 milion e 220 mijë e 175 euro, nga të cilat kanë bërë shpëlarjen e parave në shumën prej 1 milion e 68 mijë e 775 euro.

Me këtë, në vazhdimësi dhe në bashkëkryerje, akuzohen se kanë kryer veprën penale “shpëlarje parash”, nga neni 308 i Kodit Penal si dhe neni 32, paragrafi 2. nënparagrafi 2.1 dhe 2.2 i Ligjit mbi Parandalimin e Shpëlarjes së Parave dhe Financimin e Terrorizmit, lidhur me nenin 81 dhe 31 të Kodit Penal.

Sipas aktakuzës, të njëjtit akuzohen edhe për veprën penale të “mashtrimit”, nga neni 335, atë të “falsifikimit të dokumenteve” nga neni 399, si dhe “shmangie nga tatimi” nga neni 313 të Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë 

Asnjë koment

Comments are closed.