27-11-2024

Prizren: Rihapet shqyrtim gjyqësor për shmangien e tarifave doganore për 27 vetura të demoluara

Për shkak se për të njëjtin automjet është bërë dy herë përllogaritja e dëmit të shkaktuar në emër të detyrimeve doganore, është vendosur që të rihapet shqyrtimi gjyqësor në rastin ku Murat Memaj, po akuzohet për shmangien nga pagesat e tarifave të detyrueshme doganore për 27 vetura të demoluara.

Këtë vendim e ka marrë gjyqtarja e vetme gjykuese Sadije Selmani në seancën e së hënës, në Gjykatën Themelore në Prizren, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykatësja Selmani konstatoi se gjatë këshillimit të kësaj çështje penale sa i përket automjeteve për të cilat i akuzuari dyshohet se i është shmangur pagesave të tarifave të detyrueshme doganore, ka vërejtur se në rastin konkret me rastin e përllogaritjes së dëmit të shkaktuar nga ana e Doganës së Kosovës, për të njëjtin automjet është bërë dy herë përllogaritja e dëmit të shkaktuar në emër të detyrimeve doganore.

Pranë shumës së dëmit si në aktakuzë, kishte mbetur edhe eksperti financiar Agim Kastrati, në ekspertizën e tij dhe në plotësimin e ekspertizës së tij.

Ai ka shprehur mospajtimin e tij për çështjen e ngarkesës së akcizës në rastin konkret për automjetet, ngase janë vlerësuar me të njëjtin kod doganor si për automjete që janë në qarkullim.

Andaj, në këto rrethana gjykata ka marrë vendim që të hapet përsëri faza e plotësimit të procedurës së provave.

Meqenëse në seancën e sotme nuk ka prezentuar prokurori si dhe përfaqësuesi i palës së dëmtuar, seanca e sotme është shtyrë dhe e radhës është caktuar më 10 mars 2022.

Sipas aktakuzës së ngritur më 19 qershor 2018, nga Prokuroria Themelore në Prizren, i pandehuri Murat Memaj akuzohet se më 24 prill 2017, si pronar i “Auto Bashkimi 2” në Prizren, me qëllim që vetes apo personit tjetër t’i mundësojë shmangie nga pagesa e tarifave doganore me rastin e importimit apo eksportimit të mallrave, Doganës i paraqet dokument të rrejshëm lidhur me prejardhjen, vlerën, sasinë, cilësinë, llojin apo karakteristikat e mallit.

Sipas aktakuzës, me rastin e kontrollimit nga ana e Doganës së Kosovës, në firmën e lartcekur janë gjetur 27 automjete të demoluara-çmontuara dhe të pazhdoganuara duke iu shmangur obligimeve doganore në emër të taksave doganore, akcizës dhe TVSH-së.

Për këtë sipas aktakuzës, buxheti i Kosovës është dëmtuar në shumë prej 59 mijë e 952 euro e 12 centë.

Ai po akuzohet nga prokuroria se me këtë veprim ka kryer veprën penale “Shmangia nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore nga neni 318, par 3 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal, ku kryesi dënohet me burgim prej një deri në tetë vjet. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Asnjë koment

Comments are closed.