Prizren: Rikonstruktimi i Shatërvanit, qytetarët të pakënaqur me rrjedhën e punimeve ( VIDEO )
Rruga “Shuaip Spahiu” dhe sheshi i “Shatërvanit” në Prizren po i nënshtrohen një rikonstruksioni infrastrukturor.
Po ndërrohet kalldrëmi, ndërsa do të sistemohen nën tokë rrjeti elektrik dhe ai kabllor, bëjnë të ditur zyrtarët komunalë. Por puna në disa lokacione ka ngjallur reagime të opozitës dhe disa banorëve të Prizrenit.
“Disa punë që janë duke i bërë për çdo vjet përsëriten punët kur nuk po bëhen si duhet me qenë. Gjithnjë hiq kocka, vendos kocka. Kur qyteti nuk po bëhet me rregull”, tha Elbasan Kryeziu qytetar i Prizrenit.
Ndërkaq, banori tjetër i këtij qytet Hysen Pllava ka thënë se bllokimi i rrugëve do të thotë i ka dëmtuar jashtëzakonisht bizneset e vogla. ”Me këtë dinamikë komuna është duke bllokuar komplet qytetin”, tha ai.
E Sokol Fejzullahu vizitor në Prizren ka thënë se këto investime që po bëhen, janë me vend. “Ato i kërkojnë qytetarët, e kërkon vet qyteti të ketë.
investime në të mirë të qytetarëve. Ja shikoni se si janë shtyllat elektrike, rrezikohet çdo këmbësor që qarkullon”, tha ai.
Lexo edhe
Shaqir Totaj “punën pick”: A po lobon Adem Grabovci për vota në Kuvendin e Prizrenit?!
Edhe opozita në Prizren ka reaguar për punën që është duke u bërë në disa segmente rrugore në Prizren. LDK thotë se këto investime janë të paplanifikuara mirë për një afat të gjatë.
“Këto punime shtrojnë pikëpyetje të mëdha, a janë të planifikuara për një afat pak më të gjatë apo çdo qeverisje e re që vjen ta merr një iniciativë sa për sy e faqe të ndryshimit të fasadave a po vetëm për dukje sa po investohet diçka”, tha Pjetër Gruda nga LDK.
Reagime publike në rrjetet sociale ka pasur edhe Vetëvendosja. Ndërkaq, drejtori i Shërbimeve Publike, Çelë Lamaj, tha se kjo rrugë dhe sheshi do t’ia rikthejnë Prizrenit identitetin.
“Për shkak të dëmtimit të madh të kalldrëmit i cili ka qenë në atë rrugë jo kualitativ, tani do të jetë një kalldrëm i nivelit shumë të lartë, do të bëhet një infrastrukturë, komplet ujësjellës, kanalizim dhe i gjithë sistemi energjetik dhe kablllovikë do të futet nën tokë. Pra pritet që edhe rruga ‘Shuaip Spahiu’, edhe sheshi Shatervanit të jenë pa shtylla dhe do të jetë një infrastrukturë e kompletuar me këtë komunës së Prizrenit do t’i kthehet identiteti”, tha Lamaj.
Realizimi i projektit të sheshit të Shatërvanit do të zgjasë gjatë gjithë vitit 2024, ndërsa do të kushtojë rreth 3 milionë euro./RTK