25-11-2024

Prizren: Rivitalizmi i rrugës “Marin Barleti” mbetet pa afat

Rivitalizmi i rrugës “Marin Barleti” në Prizren mbetet pa afat
Projekti “Rivitalizimi dhe integrimi socio-ekonomik i komunitetit lokal në rrugën ‘Marin Barleti’” përfshin projektet e restaurimit për 14 ndërtesa të trashëgimisë kulturore dhe është udhëhequr nga Qendra Rajonale e Trashëgimisë Kulturore në Prizren, dhe organizata joqeveritare “EC Ma Ndryshe”. Institucionet ende nuk kanë afat se kur do të nisin punimet
Një plan për kthimin e vlerave të qytetit historik të Prizrenit, vitin e kaluar, bëri bashkë shoqërinë civile dhe institucionet vendase e ndërkombëtare dhe u prezantua në publik me pompozitet.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, në vitin 2019, u zotua ta fillojë pjesërisht zbatimin e pjesëve të caktuara të projektit, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Një vit pas prezantimit të projektit ideor, Bashkimi Evropian e ka hapur thirrjen për planin zbatues dhe mbikëqyrës të rrugës “Marin Barleti”. Në thirrjen që financohet me fondet “IPA 2016” është përfshirë edhe kinemaja “Lumbardhi”. Buxheti maksimal është 350 mijë euro dhe thirrja është e hapur deri më 4 qershor.

“Qëllimi i kontratës është përgatitja e dizajnit të hollësishëm dhe çmimit të njësisë në dosjen e tenderit për punimet e rindërtimit në rrugën ‘Marin Barleti’ dhe kinemanë ‘Lumbardhi’, të cilat ndodhen në Qendrën Historike të Prizrenit dhe janë vende të mbrojtura të trashëgimisë. Detyra përfshin, përveç kësaj, mbikëqyrjen e plotë siç përcaktohet në kushtet dhe rregullat e PRAG-së për punime të ndërtimit, përfshirë mbikëqyrjen gjatë periudhës së përgjegjësisë së defektit”, shkruhet në thirrjen e BE-së.

Projekti “Rivitalizimi dhe integrimi socio-ekonomik i komunitetit lokal në rrugën ‘Marin Barleti’” përfshin projektet e restaurimit për 14 ndërtesa të trashëgimisë kulturore dhe është udhëhequr nga Qendra Rajonale e Trashëgimisë Kulturore në Prizren dhe organizata joqeveritare “EC Ma Ndryshe”. Është financuar nga MKRS-ja, Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, Ambasada Britanike dhe u mbështet edhe nga Komuna e Prizrenit. Hartimi i këtij projekti nisi në maj të vitit 2018 me nënshkrim të Letrës së Marrëveshjes mes pesë palëve nënshkruese. Ish – ministri Kujtim Gashi, vitin që shkoi u zotua që me rishikim të buxhetit të ndajë mjete për ta çuar përpara këtë projekt, por me rënien e Qeverisë, edhe ky zotim ra në ujë.

E gjithë kjo nisi pasi që trevjeçarja Xheneta Gashi më 2016 humbi jetën shkaku i shembjes së një monumenti në rrugën “Marin Barleti”.

Enes Toska, menaxher i OJQ-së, “EC Ma Ndryshe”, ka thënë se organizata e cila ishte e përfshirë në hartim të projektit me QRTK-në në Prizren, shpreh shqetësim për shtyrjen e punimeve në rrugën “Marin Barleti”.

“Edhe banorët shprehin indinjatën dhe humbjen e besimit tek autoritetet pasi që punimet do të fillonin në shtator të këtij viti. ‘EC Ma Ndryshe’ kupton Bashkimin Evropian pasi ka procedura për pjesën e vet të kofinancimit dhe të mbikëqyrjes së punimeve, por e ka të paqartë mosreagimin e institucioneve për këtë projekt”, ka thënë Toska.

Sipas “EC Ma Ndryshe”, me gjithë zotimet, institucionet vendase nuk po shprehin vullnet për ta shtyrë përpara këtë projekt.

“Duhet të rikujtojmë që në vitin 2019, MKRS-ja pati premtuar që me fonde vetjake do të fillojë pjesërisht me zbatim të pjesëve të caktuara të projektit, gjegjësisht restaurimit të disa shtëpive. Po ashtu, edhe Komuna e Prizrenit pati premtuar që të fillojë me disa punë infrastrukturore. Fatkeqësisht nuk po shohim vullnet nga këto institucione dhe është për keqardhje shtyrja e mëtutjeshme e zbatimit të punimeve pasi që gjendja në terren dhe e ndërtesave po degradohet vit pas viti”, ka thënë Toska./koha.net

Asnjë koment

Comments are closed.