Sipas aktakuzës, i akuzuri M.L., personit tjetër i shkakton lëndime të rënda trupore me rrezikim të jetës. Kështu, me 11.09.2018 rreth orës 21:20 minuta, në afërsi të kishës katolike “Zonja Ndihmëtare” në Prizren, pasi e parkon automjetin, e ndal të dëmtuarin K.K., dhe me mjet të mprehtë (thikë) e kërcënon për një mosmarrëveshje të mëherëshme.
I dëmtuari ikë në drejtim të shtëpisë së një qytetari ku ishin të fshehur disa persona tjerë të panjohur, të cilët e sulmojnë me mjete të forta të dëmtuarin. Ndërkohë, i akuzuari M.L., me thikë njëherë e godet të dëmtuarin K.K.,, në regjionin e djathtë të krahërorit pas shpine, duke i shkaktuar grumbullim të ajrit dhe gjakut në mushkëri dhe në veshkë.
Me këto veprime ekziston dyshimi i bazuar mirë se i akuzuari M.L., ka kryer veprën penale “Lëndimi i rëndë trupor” nga neni 189 paragrafi 5 lidhur me paragrafin 2 nënparagrafi 2.1 të KPRK-së.
Ndërkaq, i akuzuari tjetër R.O., në kohë dhe vend të njëjtë merr pjesë në rrahje, e cila ka rezultuar me lëndim të rëndë trupor të personit tjetër, në atë mënyrë që pasi i dëmtuari K.K., mundohet të ikë nga sulmi i të akuzuarit të parë M.L., i del përpara, të cilin disa herë e grushton në fytyrë dhe trup, së bashku me dy persona të tjerë të panjohur.
Me këto veprime ekziston dyshimi i bazuar mirë se i akuzuari R.O., ka kryer veprën penale “Pjesëmarrja në rrahje”
Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që të akuzuarit të shpallen fajtor dhe të dënohen sipas ligjit për veprat penale të cilat u vihen në barrë.