Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Përgjithshëm, gjyqtarja e procedurës – Shpresa Emra, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Prizrenit, për caktimin e masës së paraburgimit në kohëzgjatjeprej tridhjetë (30) ditë, e cila do të llogaritet prej kohës së arrestimit 07.03.2021 dhe mund të zgjasë deri më datën 06.04.2021, ndaj të pandehurit Xh.Xh., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale lëndim i lehtë trupor nga neni 185 par. 3 pika 3.2 lidhur me par. 2 të Kodit Penal të Kosovës.
Gjykata me rastin e caktimit të paraburgimit ndaj të pandehurit ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit, dhe nga provat e mbledhura deri në këtë fazë, rrjedh dyshimi i bazuar se:
– Me datë 7 mars, i pandehuri Xh.Xh., në shtëpinë familjare, si rrjedhojë e problemeve psikike që e kanë afektuar e sulmon të dëmtuarën (vajzën e tij të mitur), duke e goditur disa herë me grushte në fytyrë, në shpin dhe krah e më pas edhe me anë të një mjeti – thupre e godet në pjesën e shpinës, e si pasojë e këtyre veprime të dëmtuarës – viktimës së ndjeshme i shkakton lëndime trupore.
Kurse a do të argumentohen këto fakte do të vlerësohet në fazat e mëtejme të procedurës penale.
Gjyqtarja e procedurës vlerëson se janë plotësuar kushtet për caktimin e paraburgimit, pasi që hetimet në këtë çështje penale janë në fazën fillestare, në vijim të kësaj procedure penale duhet të dëgjohen, i pandehuri, dëmtuara dhe dëshmitarët e mundshëm, gjithashtu për shkak të peshës së veprës penale, mënyrën dhe rrethanat e kryerjes së veprës penale, e cila është kryer ndaj të dëmtuarës (vajzës së mitur), e në anën tjetër duke pasur parasysh karakteristikat e tij personale, sjelljen e tij, pra vendosmërinë e tij për të kryer këtë vepër penale ndaj personit të ndjeshëm.
Nga të gjitha të lartë cekurat Gjykata ka ardhur në përfundim se në rastin konkret kjo masë është më e arsyeshme duke marrë parasysh të lartcekurat, e në veçanti, peshën e veprës penale, mënyrën dhe rrethanat e kryerjes, raportet e acaruara në mes të palëve, sipas konstatimit të gjykatës caktimi i masës së paraburgimit tani për tani është mëse i domosdoshëm dhe i arsyeshëm.